Këshilltarja e PS-së, Daniela Ibrahim: “Maliqi nuk duhet të shkrihet, duhet të forcohet”

HomeActual

Këshilltarja e PS-së, Daniela Ibrahim: “Maliqi nuk duhet të shkrihet, duhet të forcohet”

Cane Zhupani/ Njeriu i punës dhe mikpritjes në fshatin zerec
Rudina Bregu/ Një e re me vizion në shërbim të komunitetit..
Vendimi/83 vite burg për 4 autorët e vra*jes së Martin Çeços në 2022 në Maliq, 20 vite burg për vajzën që e nxori në pritë

Këshilltarja e PS-së, Daniela Ibrahim: “Maliqi nuk duhet të shkrihet, duhet të forcohet”

Një tjetër këshilltare e Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak të Maliqit ka reaguar publikisht lidhur me diskutimet për reformën administrativo-territoriale dhe mundësinë e bashkimit të Bashkisë Maliq me Bashkinë Korçë.

Përmes një statusi në rrjetet sociale, këshilltarja Daniela Ibrahim shprehet kundër shkrirjes së Bashkisë Maliq, duke argumentuar se një vendim i tillë duhet të merret duke u bazuar mbi interesat e qytetarëve dhe komuniteteve lokale.

“Bashkia Maliq nuk është thjesht një emër në hartë apo një institucion administrativ. Ajo përfaqëson një komunitet me histori, tradita, problematika, nevoja dhe identitetin e vet”, shkruan Ibrahim.

Sipas saj, bashkimi me Korçën mund të sjellë rrezikun që zëri i qytetarëve të zonës së Maliqit të dëgjohet më pak dhe problematikat e zonës periferike të humbasin përballë nevojave të një bashkie më të madhe.

Këshilltarja thekson se Maliqi ka nevojë për më shumë zhvillim, investime dhe shërbime, por zgjidhja, sipas saj, nuk është domosdoshmërisht shkrirja e bashkisë.

Ajo kërkon forcimin e Bashkisë Maliq, më shumë transparencë dhe shërbime pranë qytetarëve, ndërsa vë në fokus investimet në rrugë, shkolla, bujqësi, infrastrukturë dhe zhvillimin ekonomik të zonës.

Në reagimin e saj, Ibrahim u bën thirrje që përpara çdo vendimi të dëgjohet zëri i banorëve të Maliqit, Pojanit, Libonikut, Vreshtasit, Gorës, Lozhanit dhe njësive të tjera administrative që mund të preken nga reforma.

Në përfundim, qëndrimin e saj e përmbledh me një mesazh të qartë:

“Maliqi nuk duhet të shkrihet. Maliqi duhet të forcohet.”

Reagimi i Daniela Ibrahimit vjen në një kohë kur në zonën e Maliqit po zhvillohen diskutime dhe dëgjesa publike në kuadër të reformës administrativo-territoriale.