Nga: Eduart Bardhushi
Në Korçë mesa duket, kemi zbuluar formulën e re të “zhvillimit ekonomik”, festë pas feste dhe koncert pas koncerti…
Në harkun kohor të vetëm një muaji, Bashkia Korçë ka organizuar dhjetëra aktivitete e festa të ndryshme duke krijuar përshtypjen se qyteti është kthyer në “kryeqytetin e argëtimit”.
Ndoshta kjo është një gjë e mirë…pooooor problemi është se ndërsa sheshet mbushen me muzikë, shumë familje korçare mbushen me fatura!
Fiksojeni, pas dritave të skenës është një Korçë tjetër!
Është Korça e familjeve që në fund të muajit bëjnë llogaritë për të kuptuar se cilën faturë do të paguajnë këtë herë dhe cilën do ta shtyjnë për muajin tjetër, është Korça e njerëzve që mezi përballojnë koston e jetesës, të ushqimeve, energjisë, qirave dhe shpenzimeve të përditshme, është edhe Korça e familjeve që presin ndihmën ekonomike, e cila për shumë prej tyre mbetet e pamjaftueshme për të përballuar realitetin ekonomik…
Zhvillimi ekonomik fillon kur banori ka një punë të qëndrueshme, një pagë që i mjafton dhe kursen mjaftueshëm, si dhe një perspektivë për të ardhmen.
Dhe pikërisht këtu Korça e ka problemin!
Mungesa e vendeve të punës po mbetet një nga shqetësimet kryesore të qytetit.
Rinia është gjithmonë në kërkim të një mundësie që nuk e gjen në Korçë dhe prandaj po largohet.
Disa marrin rrugën drejt Tiranës, shumë të tjerë marrin rrugën drejt aeroportit… ta dini që një pjesë e të rinjve nuk po largohen sepse nuk e duan Korçën, por po largohen sepse duan një jetë më të mirë.
