Maliq, nis rehabilitimi i banesave për 43 familje në nevojë
Mbi 300 familje kanë përfituar në shtatë vitet e fundit nga ky program social.
Ka nisur puna për zbatimin e projektit “Rehabilitimi i banesave për komunitetet në nevojë”, një nismë që synon përmirësimin e kushteve të jetesës për familjet në vështirësi ekonomike dhe sociale në territorin e Maliqit.
Projekti realizohet përmes bashkëfinancimit mes Bashkisë Maliq dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, ndërsa në këtë fazë parashikohen ndërhyrje rehabilituese në banesat e 43 familjeve përfituese.
Ky program përfaqëson një mbështetje të rëndësishme për familjet që kanë nevojë për kushte më të mira banimi, duke synuar jo vetëm përmirësimin e infrastrukturës së banesave, por edhe rritjen e sigurisë dhe mirëqenies së tyre.
Sipas të dhënave të bëra publike, gjatë shtatë viteve të fundit, nga ky projekt kanë përfituar mbi 300 familje në të gjithë territorin e Bashkisë Maliq.
Përmes këtij investimi social, vijon mbështetja për shtresat në nevojë, duke e kthyer përmirësimin e kushteve të banimit në një prioritet për komunitetin.
