Dhimitër Orgocka përjetësohet në një libër biografik, botimi i parë i mbështetur në arkivin personal të artistit
Me rastin e 90-vjetorit të lindjes dhe 5-vjetorit të ndarjes nga jeta të aktorit dhe regjisorit të njohur Dhimitër Orgocka, vjen një botim i veçantë kushtuar jetës dhe veprimtarisë së tij artistike.
Lajmi është bërë i ditur nga Klajdi Lulollari, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka prezantuar biografinë e parë të artistit, të mbështetur në dokumentet e arkivit personal dhe rrëfimet e njerëzve që e njohën dhe bashkëpunuan me të.
Dhimitër Orgocka, i lindur në vitin 1936 dhe i ndarë nga jeta më 1 janar 2021, mbetet një ndër figurat e rëndësishme të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, me një kontribut të veçantë në zhvillimin e skenës korçare.
Sipas Lulollarit, botimi vjen si një amanet i artistit dhe synon të dokumentojë jetën, krijimtarinë dhe trashëgiminë e tij, duke përcjellë te brezat e ardhshëm kujtesën për një prej emrave të shquar të artit shqiptar.
Libri përbën një homazh për Dhimitër Orgockën, artistin që i kushtoi jetën skenës dhe la gjurmë të rëndësishme në historinë kulturore të Korçës dhe më gjerë.
