Nuk duhet “poshtëruar” dinjiteti i mësuesit për “dinjitetin e nxënësit”.
(Ky është një shkrim i botuar para 13 vitesh. Lind pyetja: A përbën ende debat edhe sot opinioni i mëposhtëm?).
Le të flasim dhe të ndalemi pak çaste në arsimin dhe opinionin mbi edukimin e nxënësve. Ku po shkojmë dhe sa peshë ka në shoqërinë tonë kultura dhe mirësjellja e tyre? A jemi të gatshëm të mirëpritemi në dyert e Europës që po e flasim dhe interpretojmë thuajse çdo ditë. Në kujtesën e gjithkujt i vjen në mendje shkolla dhe arsimi në kohën e regjimit monist. E ndjenin veten ‘’fatosa dhe pionierët e partisë”.
Ishin ata fëmijë që rriteshin me ideale, të gatshëm dhe vigjilentë për atdheun.
Gjithnjë në këmbë kur hapej dera e klasës. Në buzët e tyre do të lexoheshin fjalët përshëndetëse në çdo moment të ditës. Kështu rritej fryma e “nënës” parti.
A thua se kjo ishte diçka e tepruar në llojin moral të edukimit? Jo gjithnjë imponimi është sukses i dijes dhe emancipimit.
Mësuesi këmbëngulës në autoritet, nuk mund të themi se ishte gjithnjë çelësi i suksesit dhe here-herë i dështuar dhe gabues. E megjithatë figura e tij do të ishte simboli i respektit për këdo në shoqëri, si pishtari i dhënies së diturisë drejt udhëtimit në hapësirat plot horizonte të një shoqërie të shëndoshë.
Programacionet e televizionit shtetëror do të ishin të kontrolluara më së miri dhe me kohën e përshtatshme për moshat fëminore. Edukative dhe larg çdo vesi që shtrembëron rrugën e një morali të shëndoshë. Larg skenave të dhunës, apo pamjeve erotike. Dhe kjo për një shtet dhe shoqëri të izoluar, ndoshta përbënte liri të gjymtuar dhe vizion të verbër, apo e paragjykuar padrejtësisht në drejtimin e edukimit të brezave.
Po kush është në fakt panorama që shohim sot në brezat e rinj që po rriten dhe edukohen për një shoqëri të emancipuar dhe drejt Bashkimit Europian ku shpresojmë të aderojmë së shpejti? Për fatin e keq stacioni ku duam të mbërrijmë është ende një rruga me plot zikzake.
Pa dashur të njollos figurën dhe dinjitetin e një pjese nxënësish me vullnet, pasion dhe dashuri të lartë respekti ndaj dijeve, kulturës dhe mësuesve, pjesa tjetër në masë të konsiderueshme nuk mund të krahasohet kurrsesi me brezin e “djeshëm”. Fjalori i tyre është tashmë i pasur plot pasion me regjistrin e ulët dhe me një dashuri miope për librin dhe figurën e mësuesit.
Mësimet mbeten sirtarëve të braktisura të dembelizmit dhe pasionit të rënë në koma. Vendin e tyre do e zënë celularët, interneti, bixhozi, skenat e pakontrolluara. Në vend të debateve mësimore do dëgjosh komentet mbi telenovelat, apo interpretimin e filmave horror. Me fodullëk pirja e alkoolit, duhanit dhe më keq akoma drogat e llojeve të ndryshme ngjajnë si trari i thyer tashmë mbi çatinë e shkatërruar. A thua se ky brez është “largpamësi” që i duhet shoqërisë dhe Evropës që e etiketojmë me aq zell e pasion?
Një realitet i hidhur që po e shohim dhe prekim çdo ditë. Një situatë që vë në vështirësi mësuesit në moralin e tyre të lartë dhe konkretisht tek ata që mbi ballë iu lexohen qartë thinjat. Koha po tregon se mësuesi nuk shihet si edukatori në klasë, por si personi bezdisës për “gangsterët” e paedukuar. Kritikohet dhuna verbale, ndoshta e tepruar e mësuesve dikur në mësimdhënie, duke vlerësuar metodat jo fyese dhe respektuese të dinjitetit të nxënësit. Mos ndoshta për të ruajtur “dinjitetin e nxënësit” duhet të “poshtërojmë” dinjitetin e mësuesit?
Por sa të vetëdijshëm janë vet nxënësit për kulturën e tyre dhe detyrat që kanë? Rregulla demokratike vihen në një shoqëri të shëndoshë, por mesa duket ku brez nxënësish për fatin e keq nuk njeh rregulla. Ata duhet t’i vënë përgjegjësitë mbi vete, pasi të ardhmen e kanë në dorën e tyre.
Mos ndoshta edhe vet figura e mësuesit po çalon në aftësinë e edukimit dhe mësimdhënies? Sa përqind të orës mësuesit e shfrytëzojnë vetëm me çështjen e edukimit? Munden, apo e shohin një sfidë të humbur? E kjo ndodh aty ku mësuesi nuk sheh përgjegjësi mbi vete.
Ka ardhur koha tashmë që të shikohet me syrin serioz dhe largpamës problemi arsimor.
Treni që kanë nisur me ‘thinjët’ ndër vite duhet të ecë mbi tabanë të fuqishëm. Kjo situatë normalizohet me zbatimin e logjikshëm të një përgjegjësie që kishte dje arsimi. Si një muzë e fortë për të ecur me një siguri dhe dëshirë, sot me syrin drejt një të ardhme më të sigurt, ku gjithkush të ketë në ndjenjë shpirtin edukativ.
Vetëm kështu mund të themi se jemi një shoqëri e emancipuar dhe e arsimuar drejt portave të Europës. Dhe këtu e gjithë shoqëria dhe vet qeveria duhet t’i japë një mbështetje arsimit në tërësi, pasi ai është themeli bazë i një shteti.
Përgatiti: Besnik Bedollari (Drejtues shkolle & mësues gjuhë-letërsie)
