Rafaela Mborja mes pesë studentëve të vlerësuar me Çmimin e Presidentit në UET
Një tjetër sukses në fushën akademike për Rafaela Mborjën. Studentja është shpallur një prej pesë fituesve të Çmimit të Presidentit në Edicionin VIII të DSSH Junior, organizuar nga Universiteti Europian i Tiranës (UET).
Vlerësimi erdhi si rezultat i punës së saj kërkimore, përmes së cilës trajtoi një temë me rëndësi për marrëdhëniet europiane: diplomacinë e butë të Bashkimit Europian dhe promovimin e vlerave demokratike përmes programeve rinore.
Punimi i Rafaela Mborjës u vlerësua mes kërkimeve të paraqitura nga studentët, të cilët sollën ide të reja, këndvështrime akademike dhe propozime mbi çështje të ndryshme me interes shoqëror dhe ndërkombëtar.
Edicioni i tetë i DSSH Junior shërbeu si një mundësi për të promovuar talentin e të rinjve dhe për të vënë në pah rëndësinë e kërkimit shkencor në formimin e brezit të ri.
Përmes këtij aktiviteti, Universiteti Europian i Tiranës vlerësoi përkushtimin e studentëve dhe rolin e pedagogëve në mbështetjen e zhvillimit akademik dhe profesional të tyre.
Urime Rafaela Mborjës për këtë arritje dhe suksese të mëtejshme në rrugëtimin e saj akademik!
