Tiranë, 16 maj 2025
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënon me termat më të ashpër sjelljen e papranueshme dhe agresive të disa zyrtarëve të lartë të Partisë Demokratike ndaj gazetarëve që po raportonin nga protesta e organizuar nga opozita pasditen e së premtes në Tiranë.
Në mënyrë të veçantë, sjellja e kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD, z. Edi Paloka, dhe Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka i cili u përfshi në sulme verbale ndaj gazetarëve, përbën një akt shqetësues që bie ndesh me standardet minimale të respektit për lirinë e shtypit dhe punën e gazetarëve në terren.
Gazetarët nuk janë palë në konfliktet politike dhe nuk mund të trajtohen si kundërshtarë për shkak të pyetjeve që bëjnë apo raportimeve që japin.
Kjo sjellje e përsëritur e zyrtarëve të partive politike, përfshirë edhe opozitën sidomos gjatë 24 orëve të fundit, dëshmon një mungesë të thellë respekti për rolin e medias në një shoqëri demokratike.
Fatkeqësisht, kjo nuk është hera e parë që përfaqësues të forcave politike, përpiqen të intimidojnë gazetarët përmes fyerjeve, sulmeve apo diskreditimeve publike.
AGSH i kujton çdo zyrtari politik, të çdo niveli dhe ngjyre, se gazetarët nuk janë aty për të përkëdhelur pushtetin apo opozitën, por për të informuar publikun. Çdo përpjekje për t’i heshtur, fyer apo trembur përfaqëson një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias dhe të drejtës së qytetarëve për të qenë të informuar.
Ne u bëjmë thirrje të gjitha forcave politike, përfshirë Partinë Demokratike, që të mbajnë përgjegjësi institucionale dhe morale për veprimet e përfaqësuesve të tyre, si dhe të ndalojnë menjëherë çdo lloj gjuhe kërcënuese apo fyese ndaj gazetarëve. Politikanët nuk mund të kërkojnë mbështetje publike duke sulmuar mediat që nuk u pëlqejnë.
AGSH do të vijojë të monitorojë nga afër çdo incident të tillë dhe të ngrejë zërin në mbrojtje të gazetarëve që çdo ditë përballen me presione, fyerje dhe rrezik për integritetin e tyre fizik dhe profesional.
Liria e medias nuk është negociatë.