Alarm në Korçë/ Pako e dyshimtë në një automjet, rezulton të jetë aparat GPS
Një situatë e dyshimtë është regjistruar paraditen e sotme në lagjen nr. 18 të qytetit të Korçës.
Rreth orës 09:00 të datës 17 maj 2026, në rrugën “Petraq Shomo”, në gomën e pasme të një automjeti në pronësi të shtetasit G. P., është konstatuar një pako e dyshimtë, e cila fillimisht u dyshua se mund të përmbante lëndë eksplozive.
Menjëherë pas njoftimit, Policia rrethoi zonën dhe vendosi perimetrin e sigurisë, duke larguar banorët përreth për të shmangur çdo rrezik të mundshëm.
Në vendngjarje mbërritën Forcat Xheniere, të cilat pas verifikimeve rezultuan se objekti i vendosur në automjet ishte një aparat GPS dhe jo lëndë plasëse.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për identifikimin dhe kapjen e personit që ka vendosur pajisjen gjurmuese.
