Themelohen në Tiranë partia “Aleanca e Diasporës për Shqipërinë”, Leonard Koja zgjidhet kryetar me votim të fshehtë
Tiranë, 22 nëntor 2026 – Një forcë e re politike është prezantuar në skenën politike shqiptare. Bëhet fjalë për partinë “Aleanca e Diasporës për Shqipërinë”, e cila u themelua gjatë Kuvendit Kombëtar Themelues të zhvilluar sot në Tiranë.
Gjatë punimeve të Kuvendit u miratuan emri zyrtar i partisë, Statuti dhe Programi Politik, ndërsa u zgjodh edhe Këshilli Kombëtar dhe struktura drejtuese e subjektit të ri politik.
Një nga momentet kryesore të këtij procesi ishte zgjedhja e kryetarit. Në garë konkurruan Leonard Koja dhe Genc Paçuku, ndërsa pas votimit të fshehtë, Leonard Koja u shpall fitues dhe mori drejtimin e partisë.
Struktura drejtuese e partisë do të përbëhet nga:
- Kryetar: Leonard Koja
- Sekretar i Përgjithshëm: Gylsen Zhllima
- Sekretar për Marrëdhëniet Ndërkombëtare: Alban Kraja
- Sekretar për Diasporën: Armand Kallanxhi
Sipas deklaratës zyrtare, “Aleanca e Diasporës për Shqipërinë” synon të krijojë një alternativë të re politike, duke vendosur në qendër bashkëpunimin mes shqiptarëve që jetojnë në vend dhe atyre në diasporë.
Ndër prioritetet e shpallura në programin politik janë listat plotësisht të hapura, forcimi i referendumeve kombëtare dhe vendore, rishikimi i reformës territoriale, garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si dhe rishikimi i ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008.
Themeluesit e kësaj force politike deklarojnë se synojnë ndërtimin e një partie të bazuar në demokracinë e brendshme, meritokracinë, transparencën dhe llogaridhënien, duke theksuar se partia do t’u përkasë anëtarëve dhe jo një individi.
Pas përfundimit të Kuvendit Themelues, hapi i radhës për subjektin e ri politik është konsolidimi i strukturave dhe ndjekja e procedurave ligjore për regjistrimin e partisë.
“Sot nuk u zgjodh thjesht një kryetar. Sot u hodhën themelet e një alternative të re politike”, thuhet në deklaratën për shtyp të partisë së sapothemeluar.
