Rakia është një nga pijet tradicionale më të vjetra në Shqipëri. E konsideruar si pija e burrave, rakija është pjesë e trashëgimisë sonë kulturore, ndërsa qëllimi është që tradita të ruhet në brezat e rinj. Tradita e prodhimit të rakisë është ruajtur me fanatizëm ndër shekuj në familjet shqiptare.
Janë disa faktorë që e lidhin Shqipërinë me prodhimin e kësaj pije alkoolike.“Shqipëria është një zonë që prodhohen shumë fruta, ka pasur gjithmonë një prodhim të lartë të rrushit dhe kjo ka sjellë edhe prodhimin e rakisë.”, tha një prodhues.
Rakia është simbol i mikpritjes shqiptare. Ajo është prezente në ceremoni të ndryshme, duke filluar nga lindja, dasmat dhe funeralet. Ajo që e identifikon është kazani.“Kazani është një element mjaft i rëndësishëm. Ne prodhimin e rakisë e lidhim me kazanin e gjyshit në fshat. Është më e thellë se kaq.
E njëjta metodologji që prodhon rakinë me kazan, përdoret edhe për të prodhuar parfumin.”, tha një prodhues. Kjo pije mjaft e dashur për shqiptarët prodhohet nga veriu në jug, ndërsa janë disa zona që bëjnë diferencën për cilësinë e saj.“Zonat e jugut, kryesisht në Qytetin e Maliqit, gjejmë rakinë më të mirë. Prodhuesit e rakisë thonë se kjo pije identifikon Shqipërinë dhe tradita duhet të ruhet. “Turistët kur vinë thonë, Shqipëria-rakia.
Nuk duhet të shihet si pije alkoolike, që pihet një dopje, në mëngjes, e në darkë, të teprohet. Rakia për shqiptarët është edhe si ilaç. Duhet të jetë pak e fortë rakia. Turistët thonë se është shumë e fortë, por kur shkojnë te gota e tretë thonë është shumë e mirë.”, tha një prodhues.