JOLE/A ËSHTË “SHQIPËRIA 2030” NË BE “PROGRAM ELEKTORAL DHE QEVERISËS”?

HomeActual

JOLE/A ËSHTË “SHQIPËRIA 2030” NË BE “PROGRAM ELEKTORAL DHE QEVERISËS”?

Arian Jaupllari/Të nderuar qytetarë Vota e Diasporës ka rëndësi ..
Stuhitë e Breshërit zbardhin fshatra të Ersekës, dëmtohen të mbjellat
Kasandra Kasmi “Vajza dhe Dhimbja” …

Përkatësia europiane e Shqipërisë derivon jo thjesht nga pozicioni gjeografik i vendit tonë, por edhe nga vlerat historike të raportit që shqiptarët kanë krijuar me perëndimin, qysh nga koha e Heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, si një figurë me rëndësi universale për unitetin, vizionin, vlerat, traditën dhe kulturën evropiane të kombit.

Por a mjafton kjo në këtë botë të trazuar gjeopolitikisht, që Bashkimi Europian të na pranojë në gjirin e vet si shtet anëtar me të drejta të plota?

Padyshim që jo!

Çelja e negociatave të Shqipërisë me BE ka qenë një zhvillim i mbështetur në një meritë të drejtpërdrejtë qeverisëse, falë proceseve reformuese të një armate të tërë punonjësish të angazhuar të administratës publike, mbështetur nga një vullnet i palëkundur politik i maxhorancës qeverisëse. Sigurisht, ky mision është ende i papërmbushur, pasi axhenda kombëtare parasheh thellimin e mëtejshëm të reformave, të cilat kërkojnë akoma kohë dhe zhvillim progresiv të fuqisë rritëse të ekonomisë sonë kombëtare.

Ende pa filluar zyrtarisht fushata elektorale, subjektet politike të përfshira po shpërfaqin në mënyra të ndryshme në publik pjesë të shkëputura të programeve të tyre. Dukshëm Partia Socialiste ka një qasje jotradicionale ndaj zgjedhësve.

Duke vendosur në krye objektivin e anëtarësimit në BE, PS fton gjithë shqiptarët të bëhen, me votën e tyre, pjesë e realizimit të një programi madhor politik që plotëson një ëndërr të kahershme, bashkimin e plotë me Europën. Dhe që fokusi te ky objektiv qëndror të tejkalojë qëllime afatshkurtra elektorale, ajo po e plotëson tezën me bilance të arritjeve dhe projekte të mandatit të ardhshem. PS prezanton në këtë mënyrë vazhdimësinë e reformave politike, ekonomike apo sociale, si objektiva programore të qeverisjes, si pjesë integrale të objektivit më madhor.

I prezantuar në këtë mënyre programi qeverisës i mandatit të ardhshëm do të vijë si përmbledhje e kombinuar e arritjeve, programit elektoral dhe tërheqjes së çdo mendimi, duke iu larguar premtimeve afatshkurtra elektorale, me synime politike imediate. Ndaj, mbështetja për Partinë Socialiste duhet të jetë një pozicionim qytetar me karakter patriotik, jo thjesht partiak.

Në këtë stacion të rrugëtimit të zhvillimit të vendit tonë nuk është thjesht manifesti politik i një programi elektoral dhe qeverisës ai që duhet të përcaktojë alternativën fituese të zgjedhjeve të 11 Majit. Më së shumti është garancia për të konsoliduar në mënyrë përfundimtare trendin qeverisës dhe objektivin më largpamës, që kur flamuri ynë kombëtar të valëvitet në oborrin e Bashkimit Europian brenda vitit 2030, ne jo thjesht të kemi realizuar integrimin formal në familjen europiane, por edhe të kemi mishëruar standartet e nevojshme që do të krijojnë shtratin e domosdoshëm për një mirqënie më të lartë social-ekonomike për të gjithë.

Progresi i reformës në drejtësi, modernizimi i mëtejshëm i shërbimeve publike, thellimi i luftës anti-korrupsion përmes progresit drejt standardeve europiane në shërbimet publike, si dhe dinamizimi i reformave ekonomike në kuadër të përmirësimit të klimës së biznesit, janë fryma e re e cila shpresoj të përjetohet nga sa më shumë shqiptarë.

Kjo kërkon vendosmëri, solidaritet shoqëror e politik, bashkëjetesë të papolarizuar dhe forcim të kulturës së punës. Ky dimension shërbese nga çdo funksionar shteti apo përfaqësues politik duhet të jetë sa më elitar në sensin e vlerave, që njerëzit të gjejnë te politika shpresën dhe besimin për të tashmen e të ardhmen e tyre.

Ky kolorit është injektuar në Partinë Socialiste nga pigmenti rigjenerues për të sjellë disa ndryshime të shumëpritura. Fuqia duhet të jetë puna, vizioni duhet të jetë dija, realizimi duhet të jetë përmbajtja.