VIDEOT INTIME TË PERSONAZHEVE PUBLIKE, KRIMET KIBERNETIKE NISIN HETIMET
Tiranë | Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka nisur hetimet kryesisht pas konstatimit të publikimit dhe shpërndarjes në disa portale dhe platforma online të materialeve filmike me përmbajtje intime.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike po kryen veprime hetimore për identifikimin e adresave IP, të dhënave dhe administratorëve të faqeve apo profileve që kanë publikuar ose shpërndarë këto materiale.
Paralelisht, autoritetet po ndërmarrin procedurat për heqjen e materialeve nga platformat online ku ato janë publikuar.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale që lidhen me përgjimin e paligjshëm të të dhënave kompjuterike, ndërhyrjen në të dhënat kompjuterike, ndërhyrjen e padrejtë në jetën private dhe keqpërdorimin e pajisjeve.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave dhe subjekteve përgjegjëse për publikimin dhe shpërndarjen e materialeve.
