BESNIK BEDOLLARI/ KONAKU KAPEDANI; ‘KAPEDANI’ I QETËSISË DHE RELAKSIT
Përditshmëria jonë është përgjithësisht e ngarkuar fizikisht dhe psikologjikisht me aktivitetin rutinor.
Rrjedhimisht ndjejmë nevojën e pushimit dhe çlodhjes, të cilën monotonia e aktivitetit ditor shpesh herë e kthen në bezdi dhe ngarkesë.
Kjo ka bërë që shumë njerëz të kërkojnë ‘arratinë’ në fundjavë, por jo vetëm, drejt destinacioneve çlodhëse dhe qetësisë shpirtërore. Dhe të themi të drejtën jeta vazhdimisht është bërë stresuese.
Por nuk mungon ilaçi..
Ai që vret stresin dhe lodhjen. Nëse do e kërkoni padyshim që do e gjeni. Mjafton horizonti gjeografik, dëshira dhe mundësitë financiare. Kjo përbën interes për jetën qytetare, por dhe për njerëzit e aventurave dhe eksploruesve.
Dikush detin e dikush malin..
Të dyja variantet kanë vlerat e tyre të padiskutueshme.
Bukurinë dhe resursin malor e servir edhe qyteti i Korçës me rrethinat e krahinat e veta.
Ja përshembull, në bashkinë e Maliqit që qëndron shumë pranë qytetit të Korçës, 14 km largësi, gjeni plot mundësi çlodhje dhe relaksi në zonat malore.
Krahina e Gorës po tregon interes të vazhduar për turizmin malor. Fshati Strelcë, i cili ndodhet midis rrugës nacionale Maliq-Gramsh, rreth 8 km larg nga Njësia Administrative Gorë, apo 35 km largësi me qytetin e Korçës, është dallëndyshja shpresëdhënëse për interesin turistik me bujtinat që po gjallërojnë dhe po e renditin në hartën turistike këtë krahinë.
Fshati shtrihet rrëzë bukurisë së vargmalit të Valamarës dhe diku në qendër të tij të buzëqesh dhe mirëpret bujtina ‘Kapedani’.
Një oaz i vërtetë qetësie midis gjelbërimit të pakufishëm dhe mikpritjës të zotërinjve të kësaj bujtine. Titullohet, ‘Konaku Kapedani’. Dhe vërtet kapedan për nga ana figurative për gjithça servir për vizitorët dhe dashamirësit e tij.
Buzëqeshjen e gjen që në strukturimin dhe aredimin e tij mjaft çlodhës. Një ambient plotësisht relaksues. I gjendur shumë pranë rrugës në qendër të fshatit, ku makina të çon lehtësisht.
Fillimisht do të gjesh frymën mjaft mikpritëse nga pronarët e bujtinës, të cilët me vizion dhe pasion kanë ndërtuar një punë intensive mbresëlënëse, duke u larguar disi nga zhurmat mbytëse të metropolit shqiptar dhe për tu kthyer me investim në vendlindjen e tyre pas shumë vitesh.
Kjo tregon largpamësi dhe dëshirë për punë përtej ndasive fshat-qytet. Dhe aty mes gjelbërimit çlodhës, ku një orë qetësie pranë atij oazi natyror sfidon 10 terapi psikologu, duke ‘shkundur’ smogun e stresin që të ngarkon rutina e përditshme. Ushqimi bio nga prodhimet e fshatit është tjetër veçanti që në shumë vende turistike me emër në rrethin e Korçës nuk e gjen të tillë. Ambientet si brenda e jashtë flasin me gjuhën e së bukurës. Pishina në natyrë, apo veranda përballë shkëmbit duke e shoqëruar kafenë me një gotë raki kumbulle të egër dhe ujë të freskët burimi, sfidon çdo modernitet infrastrukturor metropolësh.
Kjo ndodh sepse atë që të dhuron natyra nuk e konkuron dot dora e njeriut. Këtë mundësi e servir Konaku Kapedani, që me aq largpamësi dhe ‘koreografi’ të përzgjedhur ka bërë që të vizitohet nga turistë jo vetëm vendas, por edhe të huaj gjithnjë e më shumë. Nga ata që i kanë lodhur zhurmat e qytetërimit, smogu i makinave dhe akustika mbytëse.
Eja te Konaku dhe i ‘vrisni’ për një çast armiqtë e lodhjes psikologjike. Bëni gjumin e qetë dhe mbretëror mes freskisë dhe gjelbërimit. Bëjini ‘lavazh’ mushkërive nga ajri që ta dhuron pa çmim natyra.
Mbi të gjitha gjeni veten e humbur nga mbytja e ngarkesave të shumta që na sjell jeta. Fshati i heshtur dhe i rendit braktisës për vite me radhë sot po flet me gjuhën e punëtorëve sfidues dhe largpamës. Po flet me bukurinë që ia ‘grisi’ erozioni i kohës.
Po shpalos resurset e fjetura dhe rikthen vlerat që nuk mund t’i humbasin nga braktisja.
I urojmë suksese familjes Kapedani, Erjonit dhe Erjolës për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit në krahinën e Gorës dhe për gjithë investimin që po realizon për një mikpritje sa më mbresëlënëse për vizitorët.
Padyshim që çdokush do marri pas me vete mbresat e vizitës. Shumë suksese!
Përgatiti: Besnik Bedollari (publicist)
