Deputeti Erald Kapri reagon pas arrestimit të Kevi Muçllarit: “Një akt qytetar u kthye në burgosje politike”

HomeUncategorized

Deputeti Erald Kapri reagon pas arrestimit të Kevi Muçllarit: “Një akt qytetar u kthye në burgosje politike”

Arbër Male reagim i ashpër pas vendimit për kullotat e Çërravës: “Grabitja nuk është zhvillim, është padrejtësi!”
Maliq: Fillon lirimi i hapësirave publike në segmentin rrugor Libonik – Drithas Posht
Policia e Korçës: Arrestime, procedime penale dhe sekuestrime në qark

Deputeti Erald Kapri ka reaguar publikisht pas arrestimit të të riut Kevi Muçllari, anëtar i Këshillit Bashkiak të Pogradecit, duke e cilësuar ngjarjen si “një shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe të të drejtave të njeriut”.

Në një deklaratë për mediat, Kapri tha se është nisur nga Tirana drejt Pogradecit për të përshëndetur dhe inkurajuar Muçllarin për aktin e tij qytetar, ndërsa e quajti arrestimin “të fabrikuar dhe tinëzar”.

“U nisa nga Tirana të paktën për të përshëndetur dhe për të inkurajuar Kevi Muçllarin për aktin e tij qytetar në Këshillin Bashkiak të Pogradecit. Në mënyrë tinëzare dhe aspak njerëzore u arrestua dhe ka një akuzë të fabrikuar vetëm se bëri detyrën e tij qytetare,” – deklaroi Kapri.

Deputeti theksoi se rasti i Muçllarit është një provë e qartë e mungesës së lirisë së shprehjes dhe e një përpjekjeje për të trembur qytetarët që ngrejnë zërin kundër padrejtësive:

“Sot të gjithë shqiptarët duhet të ishin krenarë për një djalë qytetar, student i shkëlqyer në shkencat politike, që ngrihet në mbrojtje të banorëve dhe shkon në një mbledhje të Këshillit Bashkiak për të protestuar. Në vend që të inkurajohet, ai arrestohet dhe mbahet në burg pa mundësi për t’u takuar me familjen apo mbrojtjen ligjore.”

Kapri bëri të ditur se është në kontakt me Avokaten e Popullit, e cila ka konfirmuar se është regjistruar çështja për verifikimin e ligjshmërisë së arrestimit. Ai shtoi se, si anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, do t’i kërkojë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) të hetojë rastin.

“Ky është një mesazh i qartë politik për të frikësuar banorët e Çërravës dhe të gjithë Shqipërisë se kushdo që ngre zërin, do të ketë fatin e Muçllarit. Kemi të bëjmë me një akt korruptiv të Bashkisë Pogradec, që u merr banorëve pronën publike pa transparencë dhe tenton ta tjetërsojë,” – shtoi Kapri.

Në përfundim, deputeti kërkoi lirimin e menjëhershëm të Kevi Muçllarit, duke e cilësuar si “një rast simbolik të guximit qytetar” që duhet të inkurajohet dhe jo të ndëshkohet.

“Ky është një absurd tjetër i një vendi që synon anëtarësimin në Bashkimin Europian, por arreston një të ri sepse proteston,” – përmbylli Kapri.

Deklarata e plotë:

“U nisa nga Tirana të paktën për të përshëndetur dhe për të inkurajuar Kevi Muçllarin për aktin e tij qytetar që bëri në Keshillin Bashkiak të Pogradecit. Në mënyrë tinëzare dhe aspak njerëzore u arrestua dhe ka një akuzë të fabrikuar vetëm se beri detyrën e tij qytetare. Sot unë mendoj që të gjithë shqiptarët duhet të ishin krenarë se si një djalë qytetar, një student i 10-tës në shkencat politike ngrihet pro banorëve dhe shkon në një mbledhje të Këshillit Bashkiak ku në vend të inkurajohet, arrestohet dhe mbahet në burg pa patur mundësinë për ta takuar. Unë mendoj që nesër kushdo gjyqtar qe do ketë çështjen e tij të japë drejtësi, ta lenë në gjendje të lirë se kemi të bejmë qartësisht me një shkelje të kushtetutës dhe të drejtave të njeriut. Imagjinoni absurdin që një njeri merr guximin të protestojë, të ngrejë zërin, jetojmë në një vend demokratik, provokohet nga kryetari i bashkisë dhe i montohen akuza të paqëna duke parë videon të gjithë shqiptarët. Muçllari duhet përgezuar për të gjithë aktin që mori sepse ky është një model që duhet të inkurajohet në shoqëri. Duhet të protestojnë e jo të rrinë gojëkyçur dhe aq më tepër që kemi të bejmë me një akt korruptiv të Bashkisë Pogradec që u merr banorëve një pronë të përbashkët dhe pa treguar qëllimin se çfarë do ta bëjnë atë pronë, detyron e Këshillin Bashkiak të tjetërsojë atë pronë komunitare. Kam marrë kontakt edhe me avokaten e popullit sot e cila më ka konfirmuar që është rregjistruar çështja për të parë nëse ka shkelje në arrestimin e Muçllarit. Gjithashtu si deputet dhe si anëtar i komisionit të sigurisë kombëtare, do i kërkoj AMP-së të hetojë rastin e Muçllarit se besoj se kemi të bëjmë me një shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut, se si një qytetar arrestohet pse protestoi. Ky është një absurd tjetër sesi një vend synon të anëtarësohet pas disa vitesh në BE, i riu arrestohet se proteston. Unë mendoj se kemi të bëjmë me një mesazh të pastër politik, për tu thënë të gjithë banorëve të Çërravës, një nga fshatrat me të mëdhenj të Korcës, por edhe gjithë Shqipërisë që kushdo që ngre zërin do ketë fatin e tij.”