Zbardhen urdhrat e dorëheqjes, kërkohet largimi i drejtuesve të institucioneve shtetërore edhe në nivel vendor
Një urdhër i Kryeministrit Edi Rama për dorëheqjen e drejtuesve të institucioneve shtetërore duket se ka prekur edhe strukturat në nivel vendor.
Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar ditën e djeshme të gjithë drejtorëve të administratës shtetërore, me përjashtim të Policisë së Shtetit, arsimit dhe shëndetësisë, të paraqesin dorëheqjen.
Raportohet se deri më tani kanë firmosur dorëheqjen drejtues të disa institucioneve, mes tyre OSHEE, UKD, ISSH, IKMT, OSSHE dhe ASHKD.
Mësohet se kërkesa u është përcjellë edhe drejtuesve të institucioneve qendrore në nivel vendor, përmes një formati zyrtar të dërguar nga institucionet nga të cilat ata varen.
Ende nuk ka një informacion të plotë se si do të zbatohet ky proces dhe nëse ai do të sjellë një largim masiv të drejtuesve të institucioneve në nivel vendor.
Kujtojmë se një kërkesë e ngjashme ishte bërë edhe në korrik të vitit të kaluar, kur Kryeministri Rama u kërkoi bashkive të vendit largimin e zëvendëskryetarëve dhe drejtuesve të institucioneve, proces i cili u zbatua vetëm pjesërisht.
Burimi: Shekulli.al
