Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 10.04.2025,

Fermerët e fshatit Burimas në juglindje të vendit kanë dalë sot në protestë, të revoltuar nga dëmet masive që kanë pësuar drufrutorët për shkak të ngricave dhe temperaturave të ulëta të regjistruara dy ditë më parë.
Sipas tyre, mbi 90% e prodhimit të mollëve, qershive dhe kumbullave është dëmtuar. Këto kultura janë burimi kryesor i të ardhurave për rreth 100 familje në këtë zonë që mbështeten tërësisht në bujqësi.
Fermerët i kanë bërë thirrje qeverisë për të ndërhyrë menjëherë, duke vendosur mekanizma sigurimi për prodhimet bujqësore, nëpërmjet bashkëpunimit me kompani private apo strukturave shtetërore. Ata kërkojnë masa konkrete për të shmangur humbje të tilla katastrofike në të ardhmen.
Në rast se nuk merren masa deri më 11 maj, protestuesit paralajmërojnë bojkot të zgjedhjeve, si formë presioni ndaj autoriteteve që, sipas tyre, kanë heshtur përballë krizës që po përballojnë fermerët.