𝐓𝐞𝐩𝐞̈𝐫 𝐩𝐫𝐞𝐤𝐞̈𝐬𝐞 𝐧𝐠𝐚 𝐤𝐨𝐥𝐞𝐠𝐮, 𝐠𝐚𝐳𝐞𝐭𝐚𝐫𝐢 𝐝𝐡𝐞 𝐝𝐫𝐞𝐣𝐭𝐨𝐫𝐢 𝐢 𝐬𝐡𝐤𝐨𝐥𝐥𝐞̈𝐬 𝐋𝐨𝐳𝐡𝐚𝐧, 𝐁𝐞𝐬𝐧𝐢𝐤 𝐁𝐞𝐝𝐨𝐥𝐥𝐚𝐫𝐢 – 𝐩𝐞̈𝐫 𝐦𝐞̈𝐬𝐮𝐞𝐬𝐢𝐧 𝐞 𝐧𝐝𝐣𝐞𝐫𝐞̈ 𝐀𝐥𝐛𝐚𝐧 𝐁𝐞𝐣𝐥𝐞𝐫𝐢
ARSIMTARËT, AGIMI VEZULLUES QË NDRIÇON MËNGJËSEVE
Figura e mësuesit mbetet symbol i humanizmit dhe shoqërisë, udhëtare e brezave në shekuj.
I heshtur dhe fisnik, misionar i palodhur dhe i pandalshëm në dhënien e dijes në kulturën e shëndetshme të një kombi. Sado të mos duket figura e tij nëpër shoqëri të brishta, ai mbetet mal i lartë që gërvisht retë dhe i ndriçon kaltërsisë qiellore në ‘eklipset diellore’. Po po, figura e mësuesit është përmendore që u reziston stuhive dhe kapriçove të erozionit kohor.
E gjej detyrim shpirtëror, por jo vetëm si shkrimtar e gazetar, por më tepër si pjesë e familjes dhe armatës së mësimdhënësve të atdheut të bëj këtë shkrim. Disa shkrime të imponohen dhe të gjunjëzojnë përballë realitetit të hidhur, ku pena derdhet me brengë dëshpërimi. Në profesionin e arsimtarit për tri dekada, dhe nga këto dy dekada të pozicionin e drejtuesit të shkollës kam përcjellë dhe kam vlerësuar me modesti shumë kolegë që janë larguar nga detyra ose kanë dalë në pension. Kurse për realitete të hidhura si helmi, detyrohesh të bësh shkrime larg dëshirës dhe me zemër të thyer. E kam fjalën për kolegun tonë të ndjerë Alban Bejlerin, i cili ndahet nga jeta në formën më të dhimbshme dhe tinzare që i dhuroi fati i zi. Kolegu dhe njeriu fisnik që na shembi dhimbjen ndër këmbë. Na plagosi zemrat dhe lëndoi familjarë, miq e shokë.
Puna në zonat malore ka vështirësitë e veta. Unë për dy dekada e kam kaluar në kurrizim tim dhe e di ç’do të thotë, si shumë arsimtarë të tjerë në mbarë vendin. Kjo i ra për ‘hise’ dhe Albanit vitet e fundit. Atë punë që e bëri me aq fisnikëri dhe përkushtim. Ata fëmijë që mësuesin e shohin ushqim shpirtëror të dijes. Njohin detyrimin që u ka shteti. E shohin si dritën e diellit që gris retë dhe ndriçon e ngroh horizontin. Dhe atë ndriçim Albani ynë e dha për gati 7 vjet në fshatin Mjaltas dhe Marjan të krahinës së Gorës në bashkinë Maliq. Mësuesi korrekt, njeriu popullor dhe i qeshur, shoku fisnik dhe i dashur.
Gjithmonë më thirre drejtor dhe nuk m’u drejtove asnjëherë me emër, edhe pse e donim dhe e respektonin aq shumë njëri-tjetrin. Kurrë nuk e vlerësove pozicionin ndaj eprorit si interes, por gjithmonë me çiltërsi dhe sinqeritet. Krijove frymën bashkëpunuese me nxënësit dhe komunitetin duke u bërë ‘ushqim’ i ditës për ta. Edhe rrugët, gurët, pemët dhe çdo qenie e fshatit i bëre të të duan dhe të ndjejnë trokitjet e hapave të tua. Ato ecje që ua ndale në arkivin e dhimbjes dhe pikëllimit.
U dhurove buzëqeshjen si çdo ditë fëmijëve, por gabohesh se nuk po ua kthen më. Tani na thuaj: Kush t’a pati për ‘borxh’ helmin që na fale? Përse e zemërove rrugën dhe të ndali në mënyrën më mizore hapin? Përse e thave blerimin ku re dhe cilët zogj të mbuluan me vaje? Përse e turpërove ditën e bukur pranverore dhe ia nxive ndriçimin? Përse lëndove dhe varrose lumturinë dhe qetësinë shpirtërore të bashkëshortes, djemve , nënës, babait, shokëve dhe miqve të tu? Të kolegëve. Mua që më mbyte në lot e dëshpërim. Që më le brengë kafen që dëshiroje aq fort ta pinim mbas pune dy ditë më parë. E premtja u mbyll, nuk më dhe përgjigje telefoni. 16 prillin na e nxive në calendar. Të lutem, e hëna do trokasi, a do të më thuash mirëmëngjes si gjithmonë??? A do të më telefonosh e të më thuash: E ngjita maloren dhe shoh gjithë horizontin përballë. Përgjigjet i pres si drejtues, si koleg, si shok, si mik. A do të mundesh??? Si do mundem të shkruaj mungesën tënde në punë!? Jo të lutem, joo!! U lumturove për dhënien e kualifikimit me sukses të 20-vjeçarit, po aq edhe unë. Dhe nuk e dija që fotoja e orës mësimore të atij kualifikimi do të ‘mbërthehej’ në mesazhe ngushëllimi për institucionet eprore dhe nga portale pa fund. Të gjithë rendën të të shkruanin. E bënë ‘qokën’ dhe detyrën shumëkush, kush me sinqeritet njerëzor, kush për interesa, por dhimbjen dhe plagën na i plase neve në derë. Mua, kolegëve, familjes dhe gjithë atyre që të deshën me sinqeritet dhe dashuri. Miku ynë, Alban Bejleri, po ç’borxh të patën?? Si nuk të dha Zoti mendje dhe fuqi për një telefonatë dhe të të ndodheshim pranë? Ike heshtur, por kështu na vrave dhe na i shton më tepër dhimbjen. Të gjithë jemi kalimtarë në këtë jetë, por fati nuk duhet të jetë aq mizor. Vdekjen e pate të hidhur, por të bukur. Re pishtar i pashuar duke dhuruar dije për të tjerët, misionar i atdheut. Ata fëmijë që kurrë nuk do të harrojnë sa të jenë gjallë. Ehhhh…. Na le kujtimet e bukura por plagën e hapur. Qofsh kujtim për jetë dhe i paharruar i dashuri dhe i respektuari kolegu dhe miku ynë, Alban Bejleri!
Ti do na vëzhgosh nga qielli, froni i qetësisë të përhershme, kurse ne do u kthehemi kujtimeve të bukura që na le trashëgimi. Ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe gjithë të dashurve të tu. Faleminderit që të njohëm, por nuk ta falim ikjen.
𝐏𝐞̈𝐫𝐠𝐚𝐭𝐢𝐭𝐢: 𝐁𝐞𝐬𝐧𝐢𝐤 𝐁𝐞𝐝𝐨𝐥𝐥𝐚𝐫𝐢
(𝐃𝐫𝐞𝐣𝐭𝐨𝐫𝐢 𝐢 𝐬𝐡𝐤𝐨𝐥𝐥𝐞̈𝐬 𝐬𝐞̈ 𝐛𝐚𝐬𝐡𝐤𝐮𝐚𝐫 𝐋𝐨𝐳𝐡𝐚𝐧 𝐢 𝐑𝐢)
