Pogradeci është një qytet i bekuar, me bukuri natyrore në çdo skaj të territorit tij dhe me burime njerëzore të jashtëzakonshme, e megjithatë kjo trevë nuk është në top listën e destiancioneve turistike, siç do duhej të ishte për atë ç’ka ofron.
Kjo sepse Bashkia Pogradec dhe ligjvënësit e emëruar, kurrë nuk u munduan të ndërtonin një platformë gjithëpërfshirëse për Pogradecin turistik, e cila do të mund të gjeneronte të ardhura dhe mirëqenie për qytetarët tanë.
Turizimi katër stinor nuk është i vlefshëm vetëm për strukturat hoteliere, baret dhe restorantet, por edhe për sektorë si bujqësia dhe blegtoria, që të gërshetuara me gastronominë dhe marketingun do ta kthenin qytetin tonë në një magnet për vizitorë vendas dhe të huaj.
Bashkia nuk ka krijuar një strategji marketingu, nuk e ka përfillur vizionin e sipërmarrësve dhe as nuk ka shfrytëzuar kontaktet e djemve dhe vajzave tona që shkëlqejnë në Tiranë dhe në vende të ndryshme të botës, për të ndërtuar Pogradecin turistik, që përkthehet në ekonomi dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët tanë.
Qendra kulturore, qyteti i vjetër i Pogradecit, kalaja 2500-vjeçare, Bazilika e Linit, varret mbretërore të Selcës dhe Liqeni i Pogradecit, që prej më shumë vitesh është pjesë e UNESCO-s janë pasuria jonë e përbashkët dhe janë identiteti ynë turistik.
Do të luftojmë që turizimi pogradecar të jetë një brand i padiskutueshëm dhe këtë brand do ta ndërtojmë së bashku.