Nga Julia Vrapi
Festivali i 6-të Ndërkombëtar i Koreve një prej aktiviteteve të rëndësishme të jetës artistike edhe këtë vit u zhvillua me pjesëmarrjen e disa koreve. “International Chamber Choir of Tirana”, përfaqësoi Shqipërinë në Festivalin e 6-të Ndërkombëtar të Koreve që u zhvillua në Ohër të Maqedonisë së Veriut në datat 26-27 qershor dhe u duartrokit me këngët- Çelni Lule se erdhi Pranvera (aranzhuar për kor nga Josif Minga), “Amane” (aranzhuar nga Vasil S. Tole), “Libertango” e Astor Piazolla, etj. “International Chamber Choir of Tirana” zhvillon disa koncerte në vit dhe në vijim të aktivitetit të tij ishte dhe në këtë festival që u zhvillua në Ohër. “International Chamber Choir of Tirana” përgatitet nga drejtori artistik dhe dirigjenti Bujar Alliu, pedagog i dirigjimit Koral pranë Fakultetit të Muzikës të Universitetit të Arteve Tiranë. Drejtori artistik Bujar Alliu tregon se Shqipëria ishte pjesëmarrëse për herë të parë me “International Chamber Choir of Tirana” në këtë festival. “Kori i përbërë nga këngëtarë nga Shqipëria, Amerika, Austria, Gjermania, Zvicra, Brazili, Hollanda dhe Hungaria ka filluar jetën artistike në 2019 në Tiranë, duke interpretuar këngë korale të autorëve shqiptar, si dhe autorë të ndryshëm botërorë, me shtrirje të repertorit sa koral kishtar, po aq dhe korale lirike të kompozitorëve shqiptar. Koncerton dy deri tre herë në vit, duke krijuar një traditë të koncerteve të Krishtlindjes, Koncertit të Pranverës dhe mbylljes së sezonit artistik. Në Ohër në këtë festival merrnin pjese kore nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Sllovenia, Serbia, etj. Jemi mirëpritur shumë në festivalin në Ohër”, tregon drejtori artistik.
Aktivitetet e Korit
Ky kor që drejtohet me drejtor artistik Bujar Alliun ka marrë pjesë në Festivalin e 27-të Ballkanik të Koreve në qershor të 2022 në Tetovë, dhe pjesëmarrja në Ohër është e dyta pjesëmarrje në një festival ndërkombëtar. Drejtori artistik Bujar Alliu tregon se “International Chamber Choir of Tirana” është një kor i vetëkrijuar me diplomatë që punojnë në Tiranë, ku gjithçka nisi në vitin 2019. “U bënë një grup nga ata që kanë kënduar nëpër shtetet e tyre në Zvicër, në Hungari, në Austri dhe duke ardhur në Shqipëri me shërbimet e tyre diplomatike krijuan një bërthamë të tillë në 2019, por u përfshinë dhe shqiptarë që punojnë po në institucionet e tyre, por që kanë talentin dhe kanë profesionin për të kënduar. Kjo është e veçanta, sepse ata e vetëfinancojnë, nuk paguan bashkia apo ministria. Është me vullnet të lirë dhe me pasion”, tregon drejtori artistik Bujar Alliu. Por e veçanta e aktivitetit të korit që ka në përbërje të tij pjesëmarrës nga shtete të ndryshme është që ata këndojnë bukur këngët tona në gjuhën shqipe. Repertori muzikor është sa shqiptar aq dhe nga shtete tjera. Drejtor artistik dhe dirigjent Bujar Alliu thotë se tashmë po krijohet një traditë që të zhvillojnë tre koncerte në vit. “Një në pranverë, verë dhe një në fund të vitit për Krishtlindje”, tregon dirigjenti. Koncerti i radhës në “International Chamber Choir of Tirana” do të jetë ai që do hapin sezonin në muajin shtator. Nga aty fillon përgatitja për koncertin e Krishtlindjes.
/ gazeta_sot