Fan Noli dhe mesha e parë në gjuhën shqipe – 22 Mars 1908, një ditë historike për kombin dhe besimin

HomeActual

Fan Noli dhe mesha e parë në gjuhën shqipe – 22 Mars 1908, një ditë historike për kombin dhe besimin

Kontrolle intensive bazuar në inteligjencën policore për parandalimin dhe goditjen e armëmbajtjes
Humbi vulën e PD, Basha akuzon Berishën se bashkëpunon me Ramën: Koalicion antivlerash! Jam i vetmi kundërshtar serioz i kryeministrit
Puna në shtet dhe fenomeni i rritjes së rrogës

Kur gjuha bëhet altar dhe besimi bëhet atdhe dhe fara e shpresës mbin në tokën e ëndrrave

Më 22 mars 1908, në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, At Theofan Stilian Noli, i njohur si Fan Noli, shënoi një nga momentet më të rëndësishme, jo vetëm në historinë e kishës shqiptare, por edhe në rrugëtimin e kombit drejt pavarësisë dhe afirmimit të tij kulturor dhe shpirtëror.

Në këtë ditë, ai mbajti për herë të parë një meshë të plotë në gjuhën shqipe, një akt me një domethënie të shumëfishtë fetare, kulturore dhe kombëtare. Në të njëjtën ditë, u themelua edhe kisha e parë shqiptare ortodokse përtej Atlantikut, Kisha e Shën Gjergjit, e cila do të shndërrohej në një qendër shpirtërore dhe kombëtare për diasporën shqiptare në Amerikë.

Mesha e parë në gjuhën shqipe, një akt i guximshëm
Në këtë sfond historik, mbajtja e meshës në gjuhën shqipe nga Fan Noli ishte një akt i guximshëm dhe revolucionar, fillues i një ambicie gjithshqiptare për zhgjim dhe mobilizim, për kthim te rrënjët, për përmbushje të amanetit dhe ngulm i dinjitetshëm për shpërfaqje kah koha thërriste në skenë bijt e Kastriotit.

Për herë të parë, një prift ortodoks shqipfolës shpalli fjalën e shenjtë në gjuhën amtare të besimtarëve të tij, duke u dhënë shqiptarëve ortodoksë ndjesinë e një përkatësie të qartë dhe të palëkundur ndaj kombit të tyre. Deri dje të të parës gjuhë të ndaluar me ligj, dhe sot të kësaj gjuhe perendie që i kumtohet perëndisë dhe shpirtit të shenjtë, si një akt i hyjt naltësimi identitar.

Ky akt nuk ishte thjesht një inovacion fetar, por një deklaratë e fuqishme politike dhe kulturore, një zë në jehonën e qiellit të shëlbimit, shërbestarisë dhe shpëtimit.

Në të njëjtën ditë historike, më 22 mars 1908, u themelua edhe Kisha Ortodokse Shqiptare e Shën Gjergjit në Boston, e cila u bë qendra shpirtërore dhe kombëtare e shqiptarëve ortodoksë në Amerikë.

Kisha e Shën Gjergjit dhe komuniteti rreth saj luajtën një rol kyç në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Aty u mblodhën patriotë, intelektualë dhe aktivistë që organizuan ndihma për atdheun, themeluan gazeta dhe revista në gjuhën shqipe dhe mbështetën përpjekjet për pavarësi dhe erë të re shprese dhe besimi.

Mesha e parë në shqip e mbajtur nga Fan Noli më 22 mars 1908 nuk ishte thjesht një akt fetar, por një hap i madh drejt një Shqipërie të lirë dhe të vetëdijshme për identitetin e saj. Ajo nuk u celebrua vetëm për shpëtimin e shpirtrave, por edhe për mbijetesën e një gjuhe dhe kulture që për shekuj ishte përpjekur të shuhej.

Në atë ditë historike, Fan Noli nuk themeloi vetëm një kishë, por edhe një institucion që do të bëhej një nga shtyllat e kombit. Përmes liturgjisë në gjuhën shqipe, ai i dha popullit një mesazh të qartë: liria shpirtërore dhe ajo kombëtare ecin krah për krah. Çdo fjalë e shqiptuar në atë meshë ishte një betim i ri për ekzistencën dhe forcën e një kombi që, edhe në mërgim, nuk harronte rrënjët e veta.

Kjo ngjarje mbetet një kujtesë e fuqishme se kur besimi dhe dashuria për atdheun bashkohen, lind një forcë e pamposhtur. Dhe mesazhi i saj vazhdon të jetë i gjallë: një komb nuk është vetëm një territor, por mbi të gjitha, është gjuha, kultura dhe shpirti i tij. Fan Noli e kuptoi këtë dhe na e la si amanet të shenjtë.

Përgatiti: Albert Vataj