Ethet e Hartës Territoriale:
Drejt një ndarjeje të re me më pak bashki
Nga L.M
Gati një dekadë pas reformës administrativo-territoriale të vitit 2014, harta administrative e Shqipërisë është rikthyer në qendër të debatit politik. Deklaratat e fundit të kryetarit të komisionit për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku, konfirmojnë se po vijon puna për një reformë të re territoriale, e cila pritet të kalojë në fazën e propozimit për miratim në kuvend.
Në një reagim publik, Mazniku u shpreh se, pavarësisht mungesës së një konsensusi me opozitën, procesi do të vijojë.
“Pavarësisht keqardhjes që nuk arritëm një konsensus me opozitën për një reformë kaq të rëndësishme, ne kemi detyrimin të ecim përpara. Shqipëria nuk mund të presë. Sot përmbyllëm bazën e reformës territoriale me një axhendë të qartë deri në vitin 2027 që përfshin kompetencat, financimin dhe rajonalizimin. Konsolidojmë sot territorin, për t’u garantuar qytetarëve nesër bashki më të forta, më funksionale dhe shërbime publike moderne e më cilësore, në përputhje me standardet më të larta të Bashkimit Europian.”
Këto deklarata tregojnë se qeveria synon një riorganizim të ri të pushtetit vendor, me argumentin se bashkitë më të mëdha do të kenë më shumë kapacitete administrative dhe financiare për t’u shërbyer qytetarëve.
Megjithatë, deri në këtë fazë nuk është publikuar ende një projektligj apo një hartë zyrtare që përcakton konkretisht se cilat bashki do të preken nga reforma. Për këtë arsye, të gjitha skenarët që po qarkullojnë për bashkime të mundshme në qarqe të ndryshme të vendit duhen konsideruar si parashikime dhe jo si vendime të marra.
Në qarkun e Korçës, si edhe në disa qarqe të tjera, përfliten variante të ndryshme të riorganizimit territorial, por vetëm publikimi i projektit zyrtar do të sqarojë se cilat prej tyre do të përfshihen në reformë.
Nëse reforma miratohet, mbështetësit e saj argumentojnë se ajo mund të sjellë një administratë më efikase, më pak struktura paralele dhe më shumë fonde për investime publike. Nga ana tjetër, kritikët ngrenë shqetësimin se bashkitë më të mëdha mund të rrisin distancën mes administratës dhe komuniteteve lokale, veçanërisht në zonat rurale.
Ndërsa ethet për hartën e re sapo kanë filluar, debati pritet të intensifikohet në ditët në vijim, deri sa projektligji të zbardhet dhe më pas të kalojë në procesin e miratimit nga organet ligjvënëse.
