Gjashtë protestuesit e shoqëruar nga Policia e Shtetit gjatë protestës së zhvilluar paraditen e së martës para Kuvendit janë lënë të lirë pas disa orësh qëndrimi në Komisariatin Nr. 1. Lirimi i tyre erdhi pas përfundimit të procedurave të para policore, ndërsa protestues dhe qytetarë u mblodhën jashtë komisariatit duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të të ndaluarve.
Shoqërimet u kryen pas përplasjeve që shoqëruan protestën, ku pjesëmarrësit hodhën vezë në drejtim të automjeteve që transportonin deputetë. Gjatë ndërhyrjes së policisë u publikuan pamje ku disa protestues shihen duke u tërhequr zvarrë nga efektivët, çka ka nxitur reagime dhe debate në opinionin publik.
Mes personave të shoqëruar ishte edhe Dritan Goxhaj, i cili pas daljes nga komisariati deklaroi se ndalimi ishte i pajustifikuar dhe se protestuesit nuk kishin ushtruar dhunë ndaj efektivëve. Ai tha se grupi i tyre kishte shërbyer si “gardh” mes protestuesve dhe policisë dhe se nuk kishte pasur përplasje fizike nga ana e tyre.
Sipas raportimeve të disa mediave, gjatë kohës që protestuesit ndodheshin në komisariat, përfaqësues të opozitës dhe dhjetëra qytetarë u zhvendosën pranë Drejtorisë së Policisë dhe Komisariatit Nr. 1 me thirrje për lirimin e tyre. Në vendngjarje u dëgjuan thirrje si “Lironi çunat” dhe “Arrestoni Ramën”.
Organizatorët konfirmuan se protesta nuk do të ndërpritet. Ata njoftuan se tubimi i mbrëmjes do të zhvillohet sipas planit, me grumbullim në Sheshin “Skënderbej” dhe marshim drejt Kryeministrisë. Koordinuesi Arben Kola u bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës së radhës.
Deri në publikimin e këtij lajmi, Policia e Shtetit nuk ka publikuar një deklaratë të plotë lidhur me arsyet e shoqërimit të protestuesve apo mbi pretendimet për përdorim të tepruar të forcës gjatë ndërhyrjes.
