Shqipëria është e bukur!

HomeActual

Shqipëria është e bukur!

Maliq/Përfshihet nga flakët një sipërfaqe me kashtë gruri në afërsi të Pyllit të Fazanëve
Drejtoresha e Spitalit Rajonal të Dibrës, Irini Shehu, është shkarkuar nga detyra pasi ka goditur me shishe shefin e financës së spitalit, Shaban Uklala, dy ditë më parë.
Një fotografi që rrëfen historinë e mbijetesës së popullit Selk’nam

Shqipëria është e bukur!

Sot dielli i bukur i Shqipërisë shkëlqen mbi liqenin e Pogradecit, ndjehem keq kur shumica e penë-mprehtëve të Shqipërisë mundohen që mëmëdheun e tyre, që “sa nuk qajnë nga dashuria kur luan kombëtarja vetëm kur fiton ama”, ta përbaltin çdo ditë me negativitet dhe ta shohin gotën gjysmë bosh çdo herë kur yjet ndryshojnë pak vendosjen në favorin tonë. Unë nuk postoj shkrime të kësaj natyre edhe për shkak të punës që ushtroj, sepse e di që do gjykohem për njëanshmëri, por sot si shqiptar i zakonshëm në këtë të dielë të bukur Pashke me familjen, e ndjeva të shkruaj dy rreshta për Shqipërinë edhe kur nuk luan kombëtarja.

Tek shikoja vajzat e mia të vogla që luajnë me rërën e buzëliqenit të Pogradecit, më lindi dëshira ta bëja këtë. Jam ulur te një kafe modeste me tavolina dhe karrige të vendosura në rërë, shoh njerëz të zakonshëm të qeshur, të lumtur e të thjeshtë (mbase ka dhe ndonjë të huaj), që shijojnë gjithçka ofron Pogradeci, Shqipëria, dhe them me vete që kur tani para syve kam gjithë këta shqiptarë që shijojnë, që buzëqeshin, kush shqiptar atdhedashës merakoset në rrjete sociale se Shqipëria është një ferr i pajetueshëm?!

A nuk janë dhe këta që po shoh unë, që ju shkëlqen fytyra dhe sytë, shqiptarë? Për perceptimin tim, këta që po shoh unë sot janë shqiptarë të vërtetë madje, sepse po e shijojnë dhe po e duan mëmëdheun e tyre.

Shpesh na ndodh që të jemi edhe në ndonjë vend fqinj apo më gjerë, edhe në vende të BE-së, njerëzit janë si shqiptarët kur janë në kafe, të lumtur, por me një ndryshim: ata nuk e shajnë mëmëdheun e tyre edhe pse ndonjëherë yjet nuk janë në favorin e tyre, nuk ndodh kjo edhe pse në disa prej vendeve dielli nuk shkëlqen si në Shqipëri.

Për shkak të lëvizjeve të familjarëve dhe të afërmve tanë nëpër Europë tashmë, kemi miq të njohur por edhe krushqi jashtë vendit. Unë personalisht nuk kam dëgjuar që një i huaj që njoh ta shajë vendin e tij në praninë time. Nuk kam dëgjuar apo lexuar asnjë lajm që një politikan, një gazetar apo një qytetar grek apo serb ta shajë vendin e tij kur del jashtë kufijve. Madje e di të sigurt që politikanët e disa vendeve të huaja, pavarësisht çfarë force politike përfaqësojnë, lexojnë të njëjtin paragraf në fjalimet e tyre kur janë jashtë kufirit kur bëhet fjalë për vendin e tyre dhe për politikën e tyre. Edhe kur kanë çështje të nxehta në politikën e brendshme, ata kurrë nuk e shajnë flamurin dhe nuk hedhin baltë mbi të.

Po çfarë ndodh nga politikanët tanë kur dalin jashtë? Vrer, vrer dhe vetëm vrer.

Nuk e di a njihni ju ndonjë njeri që vuan apo qan për hallin e shtëpisë tuaj?! Apo ndonjë njeri që, nëse keni një mosmarrëveshje familjare, t’jua tregojë dhe t’i vijë keq. Unë nuk njoh, përveç familjarëve të mi. E si mund të krijohet respekt për ne kur sa takojmë një të huaj shajmë e pështyjmë mbi flamurin tonë, qoftë edhe për politikë?! Nuk ndodh kund, kjo jo, nuk ndodh.

Korça, destinacion i viteve të fundit për fundjavat e shqiptarëve, për festën e birrës, për karnavalet e Korçës, për Dardhën, Voskopojën, për Prespën, për Maliqin me Gorën e Moglicën, për Sinicën, për Kolonjën e Pogradecin, për buqetën turistike me bukuri natyrore e kulinari habitëse e shijelënëse në memorie gjatë, dhe jo vetëm. Qytet që, kur thua Krishtlindje apo Pashkë në Shqipëri, menjëherë në mendje të vjen si festohet në Korçën e serenatave. Njerëz pa fund, hotele të prenotuara ditë para festave dhe ditë pas festave. Por… sapo “gota boshatiset” për një shkak apo një tjetër, vjen vrer-derdhja dhe të gjithë e shohin gotën gjysmë bosh, madje edhe ata që bëjnë selfie në Korçën e bukur në të katër stinët e vitit.

Që të duam Shqipërinë duhet ta duam në ditë me diell si kjo e sotmja në Pogradec, kur liqeni dremit e njerëzit buzëqeshin; duhet ta duam kur dëbora zbardh malet e bllokon rrugët; duhet ta duam edhe kur humbet kombëtarja e Shqipërisë në futboll.

Në BE nuk na çon sharja dhe balta mbi flamurin tonë, por dielli i bukur i Shqipërisë që shndrit si sot mbi liqenin e Pogradecit!