Transport elektrik për qytetarët, Këshilli i Qarkut Korçë shqyrton projektin pilot për bashkitë Korçë, Devoll dhe Maliq
Këshilli i Qarkut Korçë ka nisur një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të transportit publik, duke shqyrtuar projektin pilot për vendosjen e transportit elektrik në bashkitë Korçë, Maliq dhe Devoll.
Në kuadër të projektit “SMART CITIES”, i financuar nga Programi IPA CBC Greqi–Shqipëri 2021–2027, u zhvillua këtë të martë një takim me drejtuesit e tre bashkive përkatëse, ku u diskutua zbatimi konkret i këtij projekti inovativ.
Ky projekt synon të sjellë për herë të parë transportin publik elektrik në këto zona, duke u fokusuar në një model pilot që do të shërbejë si bazë për zhvillime të mëtejshme në të gjithë rajonin.
Gjatë takimit, në qendër të diskutimeve ishte organizimi dhe funksionimi i këtij shërbimi të ri, i cili do të ndërtohet mbi një analizë të integruar dhe të mirëstrukturuar të nevojave të komunitetit.
Në njoftimin zyrtar, Këshilli i Qarkut Korçë thekson se:
“Qëllimi ynë i përbashkët mbetet ndërtimi i një modeli funksional, të qëndrueshëm dhe në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi, në shërbim të qytetarëve dhe zhvillimit të qëndrueshëm të rajonit.”
Ky projekt pritet të ndikojë pozitivisht në përmirësimin e cilësisë së ajrit, uljen e ndotjes dhe rritjen e standardeve të transportit publik në juglindje të vendit.
