Java e 27-të e Kategorisë Superiore nisi me surpriza të mëdha, pasi dy kryeqytetaset, partizani e Tirana, edhe pse me rezultate të ndryshme, dhanë shenja përtëritjeje dhe serioziteti, si për të kujtuar se në fazën e katërt dhe të fundit që nis pas disa ditësh do të jenë me një staturë më të fortë dhe më të karikuara për të realizuar objektivat madhore sezonale. Në fakt, Partizani regjistroi një fitore të thellë e të madhe ndaj Erzenit, për të treguar se është në luftën për titullin madje me fitoren e djeshme rikapi vendin e dytë në renditje, kurse Tirana miri një barazim me kryesuesen e garës, Egnatian, duke mos përfituar shumë por duke e hapur krejtësisht garën e titullit sepse u jep një shans Partizanit dhe Vllaznisë ta sfidojnë në vazhdim ekipin kryesues rrogozhinas.
Barazimi i Tiranës i mirë, por mbetet jashtë top-4Tirana barazoi ditën e djeshme 1-1 ndaj Egnatias. Dueli i luajtur në “Elbasan Arena” nuk pati fitues. Të parët kaluan në avantazh kryesuesit e Superiores. Melih Ibrahimoglu kaloi Egnatian në avantazh çerek ore përpara fundit. Sulmuesi turk mposhti portierin Leon Kozi dhe nisi festën me shokët. Bardheblutë nuk u dorëzuan dhe evituan humbjen falë penalltisë së ekzekutuar saktë nga Kristal Abazaj në minutën e shtatë shtesë. Skuadra nga Rrogozhina vijon të kryesojë kampionatin me 51 pikë, por Vllaznia mund të afrohet nëse fiton të hënën në Korçë. Skuadra e Erbim Fagut ndan vendin e pestë me Dinamo Cityn, me nga 36 pikë.
Partizani nxjerr inatin e kupës përballë Erzenit në Superiore
Pas eliminimit në Kupën e Shqipërisë Partizanit i duhej një fitore e madhe që të harrohej ai zhgënjim dhe të futej në garën e titullit. Superiorja është tani objektivi i vetëm dhe të kuqtë do btë fokusohen vetëm aty. Kështu, Partizani reagoi pas eliminimit nga Kupa e Shqipërisë, duke fituar në kampionat. Skuadra e Orges Shehit triumfoi 0-4 në Rrogozhinë përballë Erzenit. “Demat” shënuan nga dy gola për pjesë. Tedi Cara ekzekutoi saktë një penallti të fituar nga Andi Hadroj, ndërkohë që shënoi edhe Kristian Mba gjatë 45 minutave të para. Skuadra kryeqytetase mbeti me dhjetë lojtarë pas daljes me të kuq të Marçelino Prekës 13 minuta përpara fundit. Gjithsesi, edhe në inferioritet numerik, kampionët në fuqi shënuan edhe dy herë të tjera. David Atanaskoski dhe Arçange Bintsouka kompletuan suksesin me “poker” të Partizanit, që i bashkohet për momentin Vllaznisë në vendin e dytë. Erzeni mbetet në vendin e parafundit.
Sot tre ndeshjet e tjera të javës 27
Ditën e sotme do të luhen tri ndeshjet e tjera të javës së 27-të, ku padyshim dueli i Korçës midis Skënderbeut dhe Vllaznisë duket të jetë më i rëndësishmi. Shkodranët kanë pasur një ecuri fantastike këto javë dhe ndodhen në vend të dytë me 46 pikë, 5 më pak se Egnatia, por nëse do të fitojnë duelin e sotëm do të afrohen me dy pikë, duke qenë një ndër skuadrat pretendente. Ndërkohë, një duel interesant do të jetë edhe ai mes Dinamos dhe Teutës, duel ku të dy ekipet kanë nevojë për pikë për të mbetur në objektiva. Sa i takon duelit mes Kukësit dhe Laçi, ai është i hapur, por verilindorët janë në vend të fundit dhe ndoshta kjo mund t’i bëjë ata të luajnë pa shumë objektiva, kurse Laçit i duhet të dalë nga kriza e javëve të fundit e ky është një rast i mirë.
/gazeta_sot