SHBA ulet në Hënë pas gjysmë shekulli

HomeTechnology

SHBA ulet në Hënë pas gjysmë shekulli

Apple do të paguajë gjobë prej 490 milionë dollarësh nën akuzat se ka mashtruar për shitjet në Kinë
Edhe Viber tallet në llogari të Facebook-ut, pas “rënies” së përkohshme të këtij rrjeti social gjatë të martës
Roboti i shërben ushqim një klienti në një dhomë hoteli në Kinë

Anija kozmike “Odysseus” është bërë i pari mjet hapësinor privat që ka rikthyer Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas 50 vitesh në Hënë.

E lëshuar nga kompania “Intuitive Machines” me bazë në Hjuston kjo anije ka hyrë në histori, pasi realizoi me sukses uljen në polin jugor të Hënës, një arritje vetëm e 5 shteteve deri tani.  

Inxhinierëve iu desh të kapërcenin disa probleme deri në uljen e plotë. Orët përpara uljes ishin të tensionuara për shkak të dështimit të sistemit të navigimit me lazera. Ekipi i kontrollorëve vendosi të provonte një sistem eksperimental të NASA-s që nuk ishte përdorur më parë dhe mjetit hapësinor iu desh të bënte edhe një tjetër rrotullim përreth Hënës për të mundësuar këtë ndryshim të momentit të fundit.

NASA e përshëndeti uljen si një arritje të madhe. Një tjetër kompani rivale nuk arriti të bënte ulje në Hënë muajin e kaluar.

Anija e ndërtuar me fibra karboni dhe titaniumi, me një lartësi prej 4.3 metrash, mban në bord gjashtë paisje eksperimentale të NASA-s, e cila i pati paguar kompanisë 118 milionë Dollarë për prodhimin dhe fluturimin e anijes, në kuadrin e përpjekjeve për të komercializuar udhëtimet drejt Hënës, ndërsa është planifikuar edhe rikthimi atje i astronautëve, pak vite më vonë.

Operacioni i kompanisë Intuitive Machines është përpjekja më e fundit në një seri përpjekjesh nga shtete dhe kompani private. Japonia arriti një ulje në Hënë muajin e kaluar, duke iu bashkuar kështu uljeve të suksesshme nga Rusia, Shtetet e Bashkuara, Kina dhe India.

Shtetet e Bashkuara hoqën dorë nga prania në sipërfaqen e Hënës në vitin 1972, pasi programi Apollo i NASA-s dërgoi 12 astronautë në sipërfaqen e Hënës. Një kompani nga Pitsburgu, Astrobotic Technology, bëri një përpjekje muajin e kaluar, por pësoi një rrjedhje karburanti që e detyroi anijen t’i drejtohej sërish atmosferës së Tokës ku edhe u dogj.

Klan News