Romina Kuko/Një epokë po mbyllet në heshtje – A jemi në fundin e “botës së djeshme”?

HomeActual

Romina Kuko/Një epokë po mbyllet në heshtje – A jemi në fundin e “botës së djeshme”?

Korçë/ Procedime për drogë, mashtrim e vjedhje. Konflikt mes dy të miturve për rrjetet sociale
Gruaja e Policit pranon lidhjen me Lencin, punonin në një zyrë bashkë..
The weather improves, all national roads passable

Nga: Romina Kuko

Historia nuk vjen me zhurmë. Ajo nuk paralajmëron me sirena, as me deklarata solemne. Shfaqet si mjegull – fillimisht si një krisje e lehtë në mur, si një heshtje e zgjatur që askush nuk di ta emërtojë.

Kur e kupton se ka ardhur, zakonisht është vonë.

Sot jemi pikërisht në këtë çast: një epokë po largohet pa u shpallur, ndërsa tjetra endet ende pa emër, pa rregulla dhe pa premtime. Një botë po mbyllet, por dera e së resë nuk është hapur ende.

Në librin e tij të njohur “Bota e së djeshmes”, Stefan Cvajg përshkroi fundin e një qytetërimi që kishte besuar se kishte shpëtuar nga historia. Një Europë e bindur se racionaliteti kishte fituar betejën përfundimtare, se lufta ishte bërë anakronizëm dhe se progresi ishte ligj natyror.

Tragjedia e asaj bote nuk qëndronte te idealizmi i saj, por te bindja se ai qytetërim ishte i përhershëm, se kishte kaluar përtej rrezikut.

Historia na mëson se asgjë nuk është më e rrezikshme se një qytetërim që beson se është përfundimisht i sigurt.

Një shekull më vonë, ne po jetojmë variantin tonë të asaj bote që po largohet. Sot, “bota e së djeshmes” nuk është më Europa para Luftës së Parë Botërore, por rendi ndërkombëtar i pas Luftës së Ftohtë.

Është epoka e multilateralizmit liberal, e besimit se tregtia do të zëvendësonte konfliktin dhe se institucionet do të disiplinonin fuqinë. U mendua se ekonomia do të ishte gjithmonë levë më e fortë se politika dhe se gjeopolitika do të zëvendësohej nga impulset e teknologjisë.

Por gjeopolitika nuk zhduket kurrë.

Ajo vetëm hesht, duke pritur momentin e vet.

Sot po shohim rikthimin e rivaliteteve të mëdha, tensioneve të hapura dhe një bote që nuk drejtohet më nga rregulla të qarta, por nga interesa të forta. Stabiliteti që dukej i garantuar po rezulton të ketë qenë një iluzion komod.

Historia nuk mbaron kurrë. Ajo thjesht ndryshon formë.

Dhe ndoshta sfida më e madhe e kohës sonë është të kuptojmë se siguria nuk është gjendje e përhershme, por ekuilibër i brishtë. Se paqja nuk është e dhënë, por zgjedhje. Dhe se çdo brez ka momentin e tij përballë historisë.

Ne jemi në atë moment.