Partia Demokratike në Pogradec i ka dhënë një avantazh Partisë Socialiste në këtë duke “eliminuar” nga gara e primareve një nga emrat më të votuar dhe më të dashur nga qytetarët, Arbër Male. Ky i fundit, prej dy vitesh, ka bërë rezistencë si pak të tjerë në kampin opozitar dhe është konsideruar si një ndër personat më të pa kompromentueshëm, edhe kur disa prej këshilltarëve të djathtë në Këshillin Bashkiak të Pogradecit kanë treguar lëkundje dhe afrimitet me pushtetin.
Për shumë qytetarë, Arbër Male ishte e vetmja garanci që do të tërhiqte pas vetes një pjesë të mirë të elektoratit gri dhe jo vetëm. Burime të shumta thonë se PS-ja e Pogradecit u investua jo pak për ta “eliminuar” nga gara e primareve Arbër Malen, duke angazhuar anëtarë të strukturave të majta në Pogradec dhe jo pak njerëz nga Bashkia e Pogradecit. Madje, brenda demokratëve, në diskutimet e tyre, thuhet se në garën e primareve të Pogradecit, strukturat e së majtës mbështetën kandidatë të caktuar, me qëllim për të futur në listën e PD-së kandidatë që i konsiderojnë më të dobët në garën e 11 majit.
Vetë gara e primareve në qarkun e Korçës dhe konkretisht në Pogradec u shoqërua me kontestime të ndryshme përsa i përket rregullshmërisë së procesit. Në të gjithë qarkun u panë heqje nga listat të anëtarëve të vjetër të Partisë Demokratike, të cilët nuk mundën të votojnë. Ndërsa në Pogradec u evidentuan persona që tentuan të votojnë me mjete anëtarësie false, çka u konfirmua në një deklaratë për mediat nga drejtuesi politik i qarkut, Ivi Kaso. Gjithashtu brenda strukturave të PD-së Pogradec, anëtarë të ndryshëm, në kundërshtim me direktivat e PD-së, baltosën dhe përgojuan disa prej kandidatëve dhe kandidateve në garë, me qëllim që t’u ulnin mundësinë për të marrë sa më shumë vota. Në disa raste, për kandidatet zonja në këtë garë, u imponuan ide të gabuara për anëtarët se ato ishin futur pa qëllim për të fituar primare.
Edhe pse në vendimet e Këshillit Kombëtar të PD-së u vendos se nëse do të kishte ndërhyrje të tilla denigruese mes kandidatëve, do të merreshin masa deri në përjashtim nga procesi i primareve, kjo gjë nuk u realizua për asnjë rast.
Ajo që solli çudi në listën përfundimtare të PD-së është futja e kandidates më pak të votuar në qarkun e Korçës, në listën e hapur për deputetë. Bëhet fjalë për Brunilda Priftin, e cila siguroi vetëm 13 vota në të gjithë qarkun. Duke lënë pas një ndër aktivistet kryesore të PD-së Pogradec, e cila është Albana Prifti, e treta më e votuar në Pogradec dhe e cila gëzonte poashtu një mbështetje të madhe publike. E gjithë kjo situatë ka sjellë pakënaqësi dhe indinjatë në mesin e demokratëve pogradecarë, të cilët janë shprehur se do të bojkotojnë zgjedhjet e 11 majit.
Deri më 11 maj, pritet të shihet sa vërtet do të marrin mbështetje emrat e paraqitur në listë dhe sa frymëzuese do të jenë strukturat e PD Pogradec për të mbledhur vota tek qytetarët. Sipas statistikave nga sondazhet, në qarkun e Korçës luftohet vetëm për një mandat në listë të hapur, pasi shanset më të shumta janë që opozita do të sigurojë në maksimumin e saj vetëm 4 nga 10 mandate, tre prej të cilave janë në lista të mbyllura.