Operacion antidrogë në Zëmblak, arrestohen 3 persona – Lokali përdorej për shitje narkotikësh

HomeActual

Operacion antidrogë në Zëmblak, arrestohen 3 persona – Lokali përdorej për shitje narkotikësh

Maliq/34-vjeçari ka dëmtuar rreth 180 pemë frutore në tokën e një 55-vjeçari
Vëllai i Jul Dedës akuzon produksionin për mashtrim, nxjerr FOTO të tjera të Eglës në makinë jashtë shtëpisë
Maliq/27-vjeçari ka vjedhur një biçikletë në banesën e një 64 vjeçari

Finalizohet operacioni policor i koduar “Zëmblaku” nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, duke çuar në arrestimin e tre personave të dyshuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Sipas Policisë, një 36-vjeçar përdorte lokalin e tij në fshatin Zëmblak për të shitur lëndë narkotike. Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit A. C., 36 vjeç, banues në Korçë, A. H., 44 vjeç, banues në Maliq, si dhe P. Gj., 34 vjeç, banues në Korçë.

Operacioni u zhvillua nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se në ambientet e një bar-kafeje shitej lëndë narkotike. Me mbështetjen e forcave të posaçme “Shqiponjat”, policia ndërhyri duke arrestuar tre të dyshuarit.

Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin në pronësi të 36-vjeçarit, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi të dyshuar lënde narkotike kokainë, një shumë parash, një armë gjahu teke pa leje, tre telefona celularë dhe një pajisje DVR. Kontrollet vijuan edhe në automjetet e pronarëve, ku u gjet dhe sekuestrua një sasi e dyshuar lënde narkotike cannabis sativa.

Nga hetimet paraprake dyshohet se shtetasi P. Gj. kishte rolin e porositësit të lëndës narkotike, shtetasi A. H. transportonte lëndën, ndërsa pronari i lokalit A. C. dyshohet se merrej me shitjen e saj.

Në cilësinë e provës materiale policia sekuestroi kokainë, cannabis sativa, një shumë monetare, një armë gjahu pa leje, dy automjete, tre telefona celularë dhe një DVR.

Në bashkëpunim me Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar kësaj prokurorie për veprime të mëtejshme.