Nertil Jole: Sezoni i ri politik duhet të vendosë qytetarët në qendër
Nertil Jole ka ndarë në rrjetet sociale një reflektim mbi nisjen e sezonit të ri politik, duke vënë theksin te marrëdhënia mes politikës dhe qytetarëve.
Jole e sheh politikën si një bashkëjetesë idesh, vizionesh dhe përgjegjësish, ku qeverisja, opozita dhe shoqëria duhet të ndërveprojnë për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve.
Sipas tij, sfida kryesore e këtij sezoni nuk është përplasja politike, me të cilën shqiptarët janë mësuar, por “lodhja qytetare”. Ai argumenton se, nëse qytetarët shkëputen nga politika, ajo rrezikon të kthehet në një “teatër pa publik”.
Në postimin e tij, Jole thekson se Shqipëria ndodhet në një moment të rëndësishëm, në kushtet e paraaderimit në Bashkimin Europian, ndërsa qytetarët janë gjithnjë e më të informuar dhe kërkues ndaj politikës dhe shtetit.
Ai shpreh optimizëm për të ardhmen, duke vënë në pah potencialin e vendit dhe veçanërisht të rinisë shqiptare, ndërsa e mbyll reflektimin me një mesazh për përgjegjësinë e përbashkët:
“Çfarë mund të bëjmë ne bashkë, të gjithë, për vendin dhe për mirëqenien tonë, është ndoshta arsyeja më e bukur për të qenë optimistë.”
