Ndryshimet në Kodin Zgjedhor/ Balla: Kush nuk vjen në 13 shkurt, i bie të jetë kundër Diasporës
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe Drejtuesi i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla i bëri apel sërish opozitës që të mos mungojë në seancën parlamentare të 13 shkurtit ku do të votohet për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, për të lehtësuar votën e emigrantëve.
“Dy çështje që duan zgjidhje të menjëhershme. E para, sa i përket një kërkese dhe mirëkuptimi që motrat dhe vëllezërit në diasporë mos të paguajmë për postën e kthimit, sikurse ne të tre nuk do paguajmë më 11 maj, e njëjta gjë edhe për ata. Kjo çështje nuk duhet politizuar. Kush e ka pasur seriozisht votën e diasporës nuk duhet të mungojë, dhe të japë votën.
Çështja e dytë në ndihmë të procesit. Kemi disa afate dhe rezulton që koha prej 50 ditësh nga koha e depozitimit të kandidatit dhe miratimi i fletës së votimit printimi dhe dërgimi me postë është një kohë e shkurtër. KQZ ka kërkuar vetëm 10 ditë.
Nuk janë elementë të natyrës politike, janë të natyrës teknike. Elementi i tretë për të cilën kemi arritur dakordësi me PD që të jemi të sinqertë është për numërimin. PD nuk kishte besim te KQZ,hajde ta bëjmë. Këto të trija do të votohen më 13 shkurt. Kush nuk vjen do bëjë atë që ka bërë gjithë këto vite, të bllokojë”, tha Balla.
Nga ana tjetër, Balla e cilësoi si idiotesk kërkesën e opozitës që në zgjedhje të marrin pjesë edhe emigrantët me dokumenta të huaja.
“Ta zëmë se na mori perëndia mendtë të gjithëve dhe ramë dakord me këtë propozim idiotesk. KQZ do duhet të verifikojë që kjo kartë ID amerikane, gjermane, ruse, kineze është e vlefshme sepse ata nuk dinë që PER që ka ngritur KQZ është një infrastrukturë që është e ndërlidhur me disa sisteme në Shqipëri, ajo lidhet me një bazë të dhënash dhe konfirmohet vërtetësia.
Sot me Chatgpt bëjnë kartë “fake”. Ndaj këta vijnë me një propozim që është i pazbatueshëm dhe kështu të krijojnë një ngërç. PD ka zgjedhur një alibi për ta bllokuar votën e diasporës sepse po kuptojnë që po humbin, apo nuk kanë dashur ndonjëherë”, tha Balla.
Ndërkohë, pretendimet e opozitës se administrata po kërcënohet me heqje nga puna për emrat e të afërmeve në emigrim, Balla i cilësoi si thjesht thashetheme.
“Patronazhisti Elon Musk në Pensilvani jo vetëm bënte fushatë por ofronte 1 milion dollarë për t’u regjistruar. Në Shqipëri nuk lejohet. Ajo që po bëjnë mbështetësit e PS është të marrin në telefon xhaxhain, dajën dhe i thonë regjistrohu të lutem, pra zëvendësojnë punën e KQZ. Ju merreni me thashetheme.
Kjo gjë nuk ndodh kurrë. Në fund të fundit PS ka 100 mijë anëtarë s’ka nevojë për administratën. Sot në Gjermani të marrin në telefon aktivistët e partisë të thonë hajdeni votoni. Rrini të qetë në këtë aspekt. Që nga bllokimi në kuvend kuptohet që po ndërtohet raporti i zi i votës së 11 majit”, tha Balla. /CNA