Maliq / Finalizohet operacioni “Sovjani”, arrestohet 30-vjeçari i armatosur
Një 30-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Maliqit, në kuadër të operacionit të koduar “Sovjani”, pasi qarkullonte i armatosur dhe posedonte armë pa leje në banesë.
Sipas Policisë, në fshatin Sovjan u ndalua një automjet që dyshohej se drejtohej nga shtetasi B. B. Gjatë kontrollit, në mjet u gjet një armë zjarri tip automatik.
Më tej, gjatë kontrollit në banesën e tij, u konstatuan edhe një armë gjahu teke dhe një sasi municioni.
Të gjitha sendet e paligjshme, si dhe automjeti, u sekuestruan si prova materiale.
Në përfundim të veprimeve, 30-vjeçari u arrestua në flagrancë për veprat penale që lidhen me mbajtjen pa leje të armëve dhe municioneve, ndërsa materialet iu referuan Prokurorisë së Korçës për hetime të mëtejshme.
