Karburantet shtrenjtohen sërish, nafta i afrohet niveleve të krizës së vitit 2022
Çmimet e karburanteve në tregun vendas kanë pësuar një tjetër rritje të ndjeshme, duke iu afruar niveleve rekord të regjistruara gjatë krizës së vitit 2022.
Nafta tashmë tregtohet me 226–229 lekë për litër, nga 219 lekë më parë, duke u shtrenjtuar me rreth 7 deri në 10 lekë për litër.
Rritje të fortë ka pësuar edhe benzina. Nga 205 lekë për litër, çmimi ka kaluar në 216–219 lekë, me një rritje prej 11 deri në 14 lekësh.
Shtrenjtimi në tregun shqiptar vjen pas rritjes së çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare. “Brent” arriti rreth 110 dollarë për fuçi, nga 100 dollarë më parë, ndërsa aktualisht kuotohet rreth 104 dollarë. Ndërkohë, çmimi referencë Platts është rritur ndjeshëm, duke shkuar në rreth 1,619 dollarë për ton.
Kjo konsiderohet si një nga rritjet më të forta të çmimeve të karburanteve në Shqipëri që prej vitit 2022, kur, pas nisjes së luftës në Ukrainë, nafta arriti për një ditë në rekordin prej 265 lekësh për litër.
Tensionet ndërkombëtare ndikojnë tregun
Rritja e fundit lidhet kryesisht me tensionet në Lindjen e Mesme dhe problemet që po ndikojnë transportin detar, veçanërisht në zonën e Detit të Kuq dhe Ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme për transportin global të naftës.
Shtrenjtimi i karburanteve pritet të ketë pasoja edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë, pasi rritja e kostove të transportit mund të reflektohet në çmimet e produkteve dhe shërbimeve.
Për qytetarët dhe bizneset, rritja e karburanteve nënkupton një tjetër goditje për buxhetet familjare dhe kostot e aktivitetit ekonomik.
