Historia e Korçës së lashtë

HomeActual

Historia e Korçës së lashtë

February starts with sunshine and high temperatures, find out what the weather will be like this week
Këmbimi valutor/ Me sa blihen e shiten dollari dhe euro, çfarë ndodh me monedhat e tjera
Maliq/Aksident në afërsi të fshatit Velitërnë

“Të mos njohësh ato që kanë ndodhur para se të lindje ti është si të mbetesh gjithë jetën kalama” – Ciceroni

Në vitin 1496, në fshatin Peskopje, që ishte në mvartësi të Korçës, përfundoi së ndërtuari Xhamia e Madhe, sot ndërtesa më e vjetër e qytetit të Korçës.

Ky objekt kulti ishte pjesë e një kompleksi fetar shoqëror që përbëhej, përveç saj, edhe nga tyrbja, hamami me ujësjellës, një imaret dhe Medreseja. Sot, përveç xhamisë ekziston dhe tyrbja, kurse imareti, hamami me ujësjellës nuk ekzistojnë, janë prishur, siç u prish në mënyrë të pashpjegueshme edhe Medreseja, shkolla e parë e qytetit, në vitin 2009 duke i hequr Korçës një monument unik historik.

Këto ndërtime në fshatin Peskopje (Peshkëpi), u kryen nga Ilia Panariti, i biri i priftit të kishës më të madhe të fshatit Panarit, i cili pas një karriere të suksesshme ushtararake dhe administrative në Perandorinë Osmane në shekullin XV, u njoh nga historia me emrin e myslimanizuar Iljaz Bej Mirahori.

Ai ishte pjesëmarrës në pushtimin e Kostandinopojës në vitin 1453, ku dhe u shpërblye nga sulltani me prona të shumta në lagjen e Stambollit “Jedi Kule” dhe në lagjen “Ivlanka”. Më e rëndësishme ishte kisha e Shën Kostandinit, që ndodhej në rrethet e “Jedi Kulesë”, të cilën ai e ktheu në xhami, e cila mban dhe sot emrin “Xhamia e Mirahorit” ose “Kisha – Xhami”(shih dorëshkrimin e S.Pulahës për jetëshkrimin e Iljaz Bej Mirahorit nxjerrë nga Enciklopedia turke e Sami Frashërit).

Më vonë Iljaz Bej Mirahori zuri postin e Valiut të Vilajetit të Janinës si dhe poste të tjera deri në detyrën e rëndësishme të Mirahorit, përgjegjësit të stallave të sulltanit, ndërkohë që u bë dhe edukator i sulltan Bajazitit II. Si u plak, Iljaz Bej Mirahori u kthye në Shqipëri dhe sulltani si shpërblim të shërbimeve të tij, i dha pronë fshatrat: Panarit (vendlindjen), Treskë dhe Trebickë.

Duke parë se kushtet gjeografike të këtyre fshatrave nuk lejonin krijimin dhe zhvillimin e një qendre qytetare dhe administrative, Iljaz Bej Mirahori, filloi të pregatitej të zbriste në fushën e Korçës, ku përcaktoi të përshtatshëm për qëllimet e tij fshatin Peskopje. Këtu ai bleu një kishë me emrin “Shën e Premte”, të cilën e bëri së pari teqe, më pas xhami dhe kjo sot është Xhamia e Madhe (N. Naçi “Korça dhe katundet e qarkut”, viti 1923,fq.57). Xhamia përfundoi në vitin 1496 dhe po në këtë vit sulltan Bajaziti II, me kërkesë të Iljaz Bej Mirahorit, nxjerr dekretin sipas të cilit:

“Dy fshatrat Panarit e Treskë, pronë personale e tij të shkëmbehen me fshatin Peskopje, në vartësi të Korçës, që ka dy pjesë…edhe unë ia dhuroj të lartpërmëndurit, të dy pjesët në fjalë” (Shih S. Ramo, Ilia Panariti dhe Korça, fq.123). Me këto veprime Iljaz Bej Mirahori hodhi themelet e qytetit të Korçës (S. Frashëri, Enciklopedia turke). Të njëjtin mendim shprehin shumë studiues që janë marrë me historinë e themelimit të Korçës, “Për Korçën, Themeltar është Iljaz Beu – Mirahor e Veli, i bir i ati prifti Panaritit i emëruar më parë Ilo, edhe si Themeltar duhet të quhet i pari mirëbërës i saj” (Nuçi Naçi, fq.64)

“Korça deri në ardhjen këtu të Koxha Mirahorit, atdhetarit të kryer në fenë islame…ishte një fshat i vogël që quhej Peskopi…, që kur ky vendosi ndejen e tij këtu si princ i vogël, që atëherë gradualisht Korça shkoi përpara…Prej këtij llogaritet dhe kronologjia e Korçës” (Thimi Mitko, vepra Tiranë 1981, fq.547).

Por a është vërtet Iljaz Bej Mirahori themelues i qytetit të Korçës së sotme?

Përgjigjen e japim duke shqyrtuar dokumentacionin që ekziston për Korçën dhe që na lejon të shohim meritën e Iljaz Bej Mirahorit në mos jo për “themelimin” e qytetit të Korçës së sotme, por për Rilindjen e tij 520 vjet më parë. Të dy historianët që flasin për Korçën: Nuçi Naçi dhe Thimi Mitko, si e thonë vetë, kanë shfrytëzuar dokumenta të vjetra që ndodheshin në familjen Myteveli, pasardhësja e Iljaz Bej Mirahorit.

Këto dokumenta për fat të mirë, Myftar Grabocka që shërbente si Kryetar i Komitetit Ekzakutiv në Korçë, djalë nga zona e Vakëfeve, në vitin 1962, duke shfrytëzuar miqësinë me familjen e Mytevelijve, veçanërisht me zonjën e nderuar Jalldëz Myteveliu, nëna e dëshmores së Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, Floresha Myteveliu, i mori dokumentat origjinalë që ruante kjo familje.

Këto dokumenta u dorëzuan në Arkivin e Shtetit në Tiranë dhe sot ato janë materialet dokumentare më të vjetra që ka ky arkiv për periudhën e pushtimit turk. Ne do të paraqisim më poshtë këto dokumenta sipas botimit të tyre, që ka bërë Sejdin Ramo, në librin “Ilia Panariti dhe Korça”.

Dokumenti i parë i shkruar për qytetin e Korçës është regjistri turk i Korçës dhe Përmetit, i hartuar në vitin 1431, fill pas pushtimit osman. Sipas tij, krahina e Korçës u përfshi në Vilajetin e Korçës, me qendër Korçën, të cilën turqit e quajtën Gjërixhe, duke turqizuar emrin e saj të vjetër sllav Gorica. Deri atëhere, Korça nuk përmendet në asnjë dokument të mesjetës Bizantine, megjithë ngjarjet e mëdha që ndodhin në këtë zonë, por “anashkalohet” kur përmenden shpesh zonat fqinje si Devolli, Kolonja, Skrapari deri tek Voskopi (shih P. Xhufi, Nga Paleologët tek Muzakajt, botim viti 2009).

Kjo tregon se turqit vetëm mbas pushtimit i dhanë rëndësi administrative Korçës, megjithëse ajo ishte shumë më e vogël se fshatrat rreth saj si Mborja me 70 shtëpi, Peshkopia (Peskopja) me 71 shtëpi. Në rregjistrin turk të vitit 1431 thuhet për Korçën, në faqen 69: “Vetë Korça, të pafetë që banojnë brenda në kështjellë: shtëpi 26, të reja 5, beqare 3, të ardhurat 1965.”

Këtu Korça paraqitet si kala e banuar dhe fortifikimi ka qenë shkaku që në të u vendos administrata osmane. Turqit nuk e ndërtuan vetë këtë kala, por e gjetën objektin e ndërtuar, gjë që vërtetohet nga fakti që banorët e saj ishin të krishterë. Turqit nuk mund të ndërtonin një kështjellë dhe ta popullonin me “të pafetë”, por në të vërtetë Korça si qendër e banuar, ka ekzistuar shumë vjet para ardhjes së turqve në Shqipëri, që ndodhi në fund të shekulli XIV.

Deri më sot, nuk njohim asnjë dokument historik të shkruar që të na njohë me kohën e ndërtimit të kalasë së Korçës si dhe me ndërtuesit e saj. Në mënyrë të tërthortë, mund të arsyetojmë nga dokumentat që kemi për kohën e ekzistencës së saj. Vetë emri sllav i saj Gorica, tregon se ajo ka një histori ekzistence shumë më të hershme se vitin 1431, kur u regjistrua nga turqit me emrin Gjërixhë.

Dokumenti që e vërteton këtë fakt tërthorazi është “Gjenealogjia e Muzakajve”, ndoshta vepra më e rëndësishme dokumentare e Shqipërisë mesjetare. Megjithëse e shkruar në vitin 1510, nga Gjon Muzaka, i emigruar në Itali mbas pushtimit turk të Shqipërisë, ai duke folur për parardhësin e tij, princin Andrea Muzaka, që arriti titullin e lartë Sebastokrator në vitin 1280-1281, duke përmenduar pronat që zotëronte ky princ shkruan: “Gjithashtu zotëroi dhe sundoi qytetin e Korçës deri në fshatin e quajtur Savojan, ku përfshihet edhe vendbanimi Viola, në të cilin mund të zihen peshq të mëdhenj e ngjala gjigande” dhe më poshtë vazhdon, “Ty, Don Andriani…po të le edhe vendet e Devollit të madh me qytetin e Korçës dhe katundin Sovjan”, (shih “Nga Paleologët tek Muzakajt”, fq.428 – 444). Ky dokument e çon ekzistencën e Korçës në shekullin e XIII, kur sundonte princi Andrea Muzaka, dhe e paraqet me fizionominë e një qyteti, pra themelimi i tij mund të jetë edhe përpara këtij shekulli. Është e qartë se turqit e gjetën Korçën me një kala të konsoliduar sepse përmendet shpesh në regjistrin turk të vitin 1431, nëpërmjet pronave të rojeve të kësaj kalaje.

Por, kemi të paqartë vendin se ku ndodhej kalaja, pra qyteti i Korçës, për të cilin shkruan Muzaka dhe flet regjistri turk i vitit 1431.

Një pjesë e studiuesve e vendosin kalanë e Korçës të regjistruar nga turqit në vitin 1431 në zonën ku ndodhet sot hotel Koçibelli, shtëpia e Sugarëve, ku në 10 dhjetor 1916, u ngrit flamuri dhe u shpall Republika e Korçës, e kufizuar në Jug nga lumi, sot shëtitorja ‘F.S. Noli’. Më i shquari ndër ta, Prof. Dr. Pirro Thomo, në librin më serioz të shkruajtur për Korçën në kohën e sotme, botim i Akademisë së Shkencave “Korça, urbanistika dhe arkitektura”, fq.44, shkruan: “… vendndodhja e kalasë mesjetare të Korçës mund të përcaktohet brenda territorit të kufizuar nga lumi (sot shëtitorja F.S.Noli), rruga 6 Dëshmorët, Shëtitorja e Shën Gjergjit dhe rruga që të çon në Pazar.” Këtë vendndodhje jep në librin e tij “Mbi themelimin e Korçës” (shoqëruar dhe me një skicë amatore) edhe studiuesi Arben Gjata, në fq.48 “Vendosja e kësaj kalaje mesjetare, mund të përcaktohet e shtrirë në lagjen “Kala”, siç quhej deri në fillim të shekullit të XX, e kufizuar nga bulevardi Shën Gjergji, ish-lumi dhe hotel turizmi Grand.”

Për vendndodhjen këtu të kalasë së Korçës, argumenti i vetëm që sjell studiuesi Pirro Thomo dhe të tjerët, është fakti që një lagje e qytetit të Korçës është e emëruar deri vonë lagja e “Kalasë ”. Edhe Karmici, pedagogu grek që shkroi librin “Gjeografia e Korçës dhe e rrethit” kur numëron lagjet e qytetit përmend dhe lagjen “Kala”, e cila përfshihej në Varoshin e sipërm dhe banohej nga popullsi e krishtere. Po kështu edhe Nuçi Naçi në librin e tij të parë të vitin 1901, në numërimin që i bën lagjeve të qytetit përmend edhe atë të kalasë.

Me këta studiues bashkohet dhe arkeologu P. Lera, në revistën “Tempulli”, ku shkruan duke iu referuar burimeve toponomastike për vendndodhjen e kalasë “Të moshuarit e qytetit tonë të dy anët e bulevardit Themistokli Gërmenji (shën Gjergji) i thësirnin me emrin “Kalaja”, “lagja e Kalasë” ose “sheshi i Kalasë”. Këto toponime që ruhen ne gojën e popullit janë sinjale që evokojnë aty praninë e një ndërtimi fortifikues. Të njëjtat argumente toponomistike sjell edhe Arben Gjata në studimin e tij, por ai shton si argument tjetër për vendodhjen këtu të kalasë edhe gjetjet në vitin 1923 dhe 2000 të disa fragmente muresh të zbuluara gjatë ndërtimeve të shekullit XX, si në shtëpinë e Sugarve, hotel Koçibelli dhe së fundmi në objektin e Bazeve, midis hotel Koçibellit dhe shtëpisë së Sugarve. Studiuesi P. Lera, mbi bazën e teknikës së ndërtimit dhe përmasave të murit të zbuluar, arrin në konkluzionin që kemi të bëjmë me një ndërtim fortifikues dhe jo me një ndërtim të thjeshtë.

Pra, Petrika Lera njësoj si Arben Gjata, arrin në përfundimin se traktet e mureve të zbuluara në këtë zonë në vitin 1923 dhe 2000, përfaqësojnë mbetjet e murit rrethues të kalasë së Korçës. Por të gjitha këto fakte nuk mjaftojnë për të vendosur përfundmisht vendndodhjen këtu të kalasë së Korçës sepse ka studiues të tjerë që paraqesin shumë fakte dhe e vendosin kalanë e Korçës ne nje tjetër vend, në kodrat e qytetit.

Vetë arkeologu Lera pranon se gjatë punimeve ndërtuese të kryera brenda territorit ku supozohet se ka qënë shtrirë kalaja në fushë buzë lumit nuk janë konstatuar gjurmë godinash qe të mund të vërtetohet ekzistenca e një kalaje-qytet. Ç’u bënë 25 shtëpitë brenda kalasë për të cilat flet regjistri turk i vitit 1431? Asnjë dokument, asnjë gojëdhënë nuk na flet se deri kur qëndroi në këmbë kalaja e Korçës, pse u zhduk pa lënë gjurmë “në mes të qytetit” që po zhvillohej bashkë me 25-33 shtëpitë që kishte në vitet 1431-1568 sipas regjistrave kadastralë turk?Nuçi Naçi në veprën e tij “Korça dhe katundet e qarkut”, botimi i parë në Sofje në vitin 1901, tjetri në shtypshkronjën ‘Dhori Koti’ në Korçë, në vitin 1923 (burimi më i plotë për historinë e qytetit të Korçës dhe të lidhjeve të tij me Iljaz Bej Mirahorin) nuk na flet fare për kalanë e Korçës si objekt fortifikues dhe zanafillë e qytetit të Korçës. Ai shkruan për kalanë e Mborjes, për kështjellat e Plasës, për fortesat e shënuara të Pilurit, për gërmadhat që tregojnë vjetërsinë e fshatrave Barç, Voskop, etj.,por për kalanë e Korçës dhe zanafillën e saj nuk ka asnjë të dhënë.

Ai përmend kalimthi në librin e tij disa toponime që gjenden në zonën e pretenduar për vendndodhjen e kalasë në fushë, që u përmëndën dhe më lart. Duke folur për krojet e qytetit ai shkruan: “Kronjat e Shën Mërisë. Kur hyjmë në port’e madhe e avllisë së kësaj kishe si për brenda portës e për jashta në të mengjur ka dy kronja. Ujët e këtyre vjen nga ca mburime që kanë qënë në vendin e emëruar kala.” (N. Naçi, Korça dhe katundet e qarkut.Fq.49). Vini re me kujdes, Nuçi Naçi nuk thotë në vendin ku ka qenë kalaja, por thotë në vendin e emëruar kala. Ai në botimin e vitit 1923, kur flet për ndarjet e Korçës (lagjet), thotë varoshi përbëhet prej 9 lagjesh-mehalla, të cilat pas vjetërsisë së tyre quhen: Penço, Manço, Mando, Qiro, Mano, e Lumit, e Sahatit, e Qoshkut dhe Radanecit. Varoshi i Korçës i cili konsiderohet si pjellë e kalasë në botimin e vitin 1923 nuk përmban lagjen “Kala”, të cilën e kishte përmendur në botimin e vitit 1901. Sejdin Ramo në studimin e tij për historinë e Korçës ( “Ilia Panariti dhe Korça”, botim i vitin 2003), pasi ballafaqon të gjitha mendimet për vendodhjen e kalasë në fushë ose në kodër jep shpjegimin e toponimeve që kanë lidhje me kalanë, të ndodhura në qytetin e Korçës si lagja “Kala”, sheshi i kalasë, vendi i emëruar kala, etj.

Sipas tij “Lagja e Kalasë do të jetë formuar nga banorët e kalasë që kanë zbritur nga kodrat ku ka qenë vendosur në fushën buzë lumit të Moravës. Për nostalgji apo traditë, vendbanimin e tyre të ri, ku ata ndërtuan shtëpitë e quajtën me emrin e mëparshëm Kala, ashtu si banorët e Barçit, kur zbritën në fushë, e quajtën lagjen ku ngritën shtëpitë e tyre, lagjia e Barçit. Kjo provohet edhe me faktin që keto janë nga lagjet më të reja të qytetit.” (S.Ramo – Ilia Panariti dhe Korça, fq. 75).

Fenomene të tilla ndeshen dhe në ditët tona. Pas viteve 90, në perëndim të qytetit të Korçës, u krijua lagja “Lavdarakët” nga banorët e zbritur nga fshati Lavdar, ose më qartë në rrugën e Voskopojës, karshi varreve të fshatit Gjonomadh, nga banorët e fshatit Lavdar, u krijua një qendër e banuar me emrin “Lavdar”. Kështu shpjegohet edhe prania e toponimeve që kanë lidhje me emrin “Kala” në qytetin e Korçës. Përsa u përket trakteve të mureve të zbuluara në vitin 1923 dhe 2000, të pastudiuara nga specialistët, ato që sipas P. Lerës i përkasin një ndërtese të vjetër me tipare fortifikuese, kemi një të dhënë interesante.

Në librin “Mborja ndër vite”, faqe 73 lexojmë: “…Thimi Mitko, i cili shkruan në greqisht në vitin 1929, në revistën periodike greke “Pandora”, midis të tjerash ai thotë: “Mbi themelimin e Korçës duhet thënë, se në vendin ku shtrihet sot qyteti, në periudhën bizantine, qe një bujtinë e fortifikuar, pronë e të bijës së Hegjemonit, qëndra e të cilit ndodhej në vendin e quajtur qytet (Kala e Mborjes)”. Duke folur për Korçën, Thimi Mitko e përsërit praninë e këtij objekti fortifikues në fshatin Peshkëpi, fshati që u transformua nga Iljaz Bej Mirahori në qytetin e Korçës ku jetojmë sot.

Edhe më poshtë Th. Mitko përsëri thekson: “Meqënëse pozicioni i saj (Korçës VD.) ndodhet në një kalim publik (rrugë publike), atëherë këtu gjendej dhe një bujtinë me rëndësi.” (Th. Mitko, vepra fq.547). A mund të jetë kjo bujtinë e fortifikuar e kohës bizantine para turke shkaku i mureve të gjetura në vitet 1923-2000? Ekzistenca e këtij objekti të fortifikuar që përmendet në disa dokumenta, nuk është provuar në asnjë vend tjetër me gjithë gërmimet e shumta të bëra për ndërtime në qytetin e Korçës. Megjithatë, pranojmë që këto mure të evidentuara në zonën e qytetit të emërtuar lagjia “Kala”, mbeten temë e hapur për studiuesit në të ardhmen.

*Shoqata Atdhetare Kulturore “Vakëfet”, Dega Korçë