Shyqyr që na erdhën zgjedhjet! Jo për të votuar, por për të ndjerë sadopak erën e ziftit në rrugët që e qanin mungesën e asfaltit. E kush nuk e ndjeu?! Në zonën tonë ka dy raste kur ndihemi në festë: kur na vjen kryeministri dhe mbushen gropat, edhe ato në mes të qytetit, si dhe kur zgjedhjet trokasin dhe nuk mbetet cep pa u ngjyer e rrugicë pa u shtruar. Nuk ka asgjë të keqe të shtrosh rrugët, madje kjo është thjesht një detyrë.
E neveritshmja në këtë histori qëndron në faktin se atë që mund ta bëje për pesë ditë, nuk e bëre për pesë vite dhe e prite pikërisht këtë moment. Neveri e kaluar neverie! Edhe Mokra tashmë ka asfalt edhe qyteti po rregullohet. Po, po! Pikërisht tani që afruan zgjedhjet. Të zhvasin dhe të gënjejnë këtë popull të shkretë, i cili molepset nga era e ziftit që i ngjyen pragun. Madje ky zift është më i keq se alkooli, ai alkooli që jepet në teke apo në dopjo, në shkëmbim të një kryqi brenda kuadratit, në atë fletën e stërmadhe ku nënshkruhet fati i shërbëtorëve “rrugështrues” elektoralë.
Oferta është e njëjtë: “Rrugë, ujë dhe drita!”, nuk ndryshon prej më shumë se 30 vitesh. Ata prapë na gënjejnë dhe ne prapë i besojmë! Madje edhe kur duan të bëjnë një punë, vetëm për të na zënë sytë, as atë nuk dinë ta bëjnë mirë. “Cilësia” është çelësi i suksesit për “rrugështruesit”, sidomos kur nuk ekziston. Dalin të fituar edhe ata të mjerët që janë djegur pak për asfalt, madje edhe ata që e shtrijnë asfaltin sipas metrit të tyre.
E di sa qesh me vete kur kuptoj se këtë që po na shtrojnë sot, e kemi paguar prej vitesh e vitesh?! Shpresoj që kjo fushatë elektorale të jetë sa më e gjatë, të shtrohen edhe ca rrugica të tjera, e pastaj, me rrugët bashkëkohore, do t’i futemi turizmit, do ta zhvillojmë vendin, do të tërheqim më shumë investitorë, e do të konkurojmë Zvicrën apo Suedinë! Kthimet kanë nisur! Dëgjova ashtu rastësisht se në Mokrë kanë nisur resortet… më falni, “bujtinat”. Ato bujtinat që u ngritën me djersë dhe nuk morën asnjë kacidhe nga shteti.
E ç’të qaj më parë unë i shkreti? Këta që kërkojnë vota, apo këta që kërkojnë asfalt dhe turizëm?
Masivisht, më 11 maj, të mbushim kutitë! Mendoj që edhe këtë vit t’ua falim kusuret këtyre që vijnë si 29 shkurti… @PogradeciPress