Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka raportuar një sërë arrestimesh dhe procedimesh penale në disa zona të qarkut, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq arrestuan në flagrancë shtetasin N. T., 42 vjeç, banues në fshatin Zvirinë, për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Dhunimi i banesës”. Sipas Policisë, 42-vjeçari ka goditur për shkak të detyrës shtetasin Z. M., 24 vjeç, me detyrë inspektor në OSHEE, me pretendimin se dy muaj më parë i kishte ndërprerë energjinë elektrike për shkak të debisë. Më pas, ai ka shkuar në banesën e 24-vjeçarit, ku e ka fyer dhe ka tentuar të godasë babanë e tij.
Ndërkohë, shërbimet e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë tre shtetas për drejtim automjeti në gjendje të dehur:
E. Ç., 51 vjeç, banues në Korçë;
E. K., 41 vjeç, banues në Korçë;
K. Sh., 59 vjeç, banues në Pogradec.
Në fushën e krimit ekonomik, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike-Financiare referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasit A. E., 59 vjeç, dhe G. N., 46 vjeç, të dy banues në Korçë. Gjatë kontrolleve në lokalet në përdorim të tyre, u konstatua se ushtronin aktivitet të paregjistruar në organet tatimore dhe pa kasë fiskale.
Po ashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetasit M. S., 22 vjeç, banues në fshatin Gjonomadh, pasi në kundërshtim me vendimin e Gjykatës ka ushtruar dhunë psikologjike dhe ka fyer nënën e tij, e pajisur me urdhër mbrojtjeje.
Ndërsa specialistët e Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin G. Ll., 56 vjeç, banues në Fier, për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”. Ai dyshohet se ka kanosur nëpërmjet telefonit dhe rrjeteve sociale Drejtoren e Degës Territoriale të Shërbimit të Provës në Pogradec, me pretendimin se mungesa e saj në gjykatë ka sjellë shtyrjen e seancës gjyqësore të bashkëshortes së tij, e cila ndodhet me masën e sigurisë “Arrest në burg” në IEVP Pojskë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.
