Djaloshi nga Maliqi Vlerësohet me Çmimin e Dytë në Konkursin Poetik ” Fjala Poetike 2024″ zhvilluar në ambientet e Hotel Tirana. 

HomeActual

Djaloshi nga Maliqi Vlerësohet me Çmimin e Dytë në Konkursin Poetik ” Fjala Poetike 2024″ zhvilluar në ambientet e Hotel Tirana. 

Drejtonin automjetin në mënyrë të pa rregullt, procedohen disa shtetas
Pogradec/20-Vjeçari kryente manovra mbi kabinën e automjetit..
Riaktivizohen vatrat e zjarrit, është vënë në kontroll përhapja e zjarrit pranë një territori zonë e mbrojtur

Mario Caci nga qyteti i Maliqit vlerësohet me Çmimin e Dytë në Konkursin Poetik ” Fjala Poetike 2024″ zhvilluar në ambientet e Hotel Tirana. 

Lajmin e ka bërë Mario nëpërmjet një statusi në Facebook: 

Mirënjohës dhe falenderues që poezia ime “Shndërrim i bukur” u vlerësua me Çmimin e Dytë në Konkursin Poetik ” Fjala Poetike 2024″ zhvilluar në ambientet e Hotel Tirana. 

Një emocion i papërshkrueshëm që vetëm konkurse të tilla poetike dinë të të falin. 

Falenderues ndaj anëtarëve të jurisë: Mimoza Ahmetaj,  Preç Zogaj, Besnik Mustafaj, Rudolf Marku, Sabit Rustemi, që e kishit vlerësuar poezinë time ndër 840 poetë pjesmarrës në konkurs.

Një falenderim i veçantë shkon për financuesin e këtij Konkursi , biznesmenin dhe dashamirësin e poezisë, zotin Azem Tahiraj. Me njerëz të tillë që mbështesin artin, bota shqiptare bëhet më e bukur. 

Më poshtë poezia ime

Shndërrim i bukur

U shndërruan bukur burrat e tokave të ashpra

vrajat e duarve po u mbyllen si toka e mihur kur thahet prej verës së vonë,

rrudhat e ballit të rreshkët tashmë u janë shtruar,

dhe aromën e dheut të freskët që përsillnin me lodhjen mbrëmave – e ndryshuan.

Vrundujt e erërave që rrinin tok në zërin atëror, u qetuan, 

pasi bijtë e fundit që u flladitën mes tyre, mësuan të hapin krahët…

dhe ato erëra pafajshmërisht i shtynë larg, tej deteve. 

U shndërruan bukur zonjat e themeleve të vjetra.

Dielli i mëngjeseve, prej lakut të artë vetëtin një rreze të thinjtë

që zë vend mbi flokun me bojë të nënave.

Dhe trëndafili i pragut, nga ujitja e tepërt, u tejngop me trishtim…

Shndërrimi i bukur në zonja, iu fshehu nën pudër edhe lotin e mallit, 

që aq paturpësisht u shkëputej prej syrit të dhembshur. 

Dhe bijtë vetëm ikin me vrunduj erërash larg

duke lënë pas burra dhe zonja të shndërruar bukur 

të pajtuar me harresën

të bukur, të strukur, të lutur 

dhe për pak kohë…të zhdukur…