Reagimi i një qytetari Maliqar ..
A mund ta shpëtojë Maliqi veten nga bashkimi me Korçën?
Na thonë që nuk kemi qytet?! Atëherë le ta ndërtojmë një të tillë……
Prej ditësh i gjithë debati në qytetin tonë është përqendruar te pyetja nëse Maliqi do t’i bashkohet apo jo Korçës. Organizohen protesta, ka reagime dhe kundërshtime. Por ndoshta po harrojmë të diskutojmë një alternativë.
Po sikur Maliqi të mos priste vendimin e komisionit, por të zgjidhte vetë problemin që, sipas raportit të reformës, e bën sot kandidatin kryesor për t’u bashkuar me Korçën?
Raporti e konsideron dobësi faktin që Bashkia Maliq ka një qytet të vogël në raport me territorin dhe popullsinë që administron. Atëherë lind pyetja: nëse problemi kryesor është qyteti, pse të mos ndërtohet një qendër urbane më e madhe?
Maliqi, Liboniku dhe Drithasi janë tashmë pjesë e së njëjtës bashki, janë të lidhur nga infrastruktura, rrugët, ekonomia dhe jeta e përditshme. Banorët lëvizin çdo ditë nga njëra zonë në tjetrën dbe në praktikë, kufijtë ekzistojnë më shumë në hartë sesa në jetën reale.
Nëse këto zona do të konsideroheshin si pjesë e së njëjtës qendër urbane, Maliqi do të fitonte një profil krejt tjetër. Një qendër e zgjeruar do të ndryshonte ndjeshëm profilin e Bashkisë Maliq. Do të krijonte një qytet më të madh, me më shumë popullsi, më shumë aktivitet ekonomik, do të bëhej interesant për investitorët dhe do të kishte më shumë peshë në analizat mbi të cilat po mbështetet reforma territoriale.
Sigurisht, kjo nuk do të zgjidhte çdo problem. Nuk do t’i rriste automatikisht të ardhurat e bashkisë dhe as nuk do të sillte investime brenda natës. Por do t’i hiqte Maliqit një nga pikat më të dobëta që përmendet në analizat e reformës.
Në vend që të presë çfarë do të vendosë Tirana, ndoshta është momenti që edhe vetë Bashkia Maliq të propozojë zgjidhje.
Sepse një bashki nuk mbrohet vetëm me protesta, mbrohet edhe me ide, vizion dhe zgjidhje që adresojnë arsyet pse ajo rrezikon të humbasë statusin e saj.
Ky është një skenar hipotetik, por është edhe një debat që ia vlen të hapet, i cili kërkon një analizë ligjore dhe teknike nga profesionistë të fushës.
Dhe a do të mjaftonte kjo për ta shpëtuar Maliqin nga bashkimi me Korçën? Askush nuk mund ta thotë me siguri. Por një gjë është e qartë: nëse ekziston një alternativë, ajo duhet të hidhet në tryezë tani, jo pasi vendimi të jetë marrë.
