Esmeralda Guliqani fiton gradën shkencore “Doktor i Shkencave” në Fizikë
Një tjetër arritje e rëndësishme akademike vjen nga fusha e shkencës dhe arsimit të lartë. Pedagogia e Departamentit të Matematikës dhe Fizikës, njëkohësisht alumni e Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Shkencave Humane të Universitetit të Korçës, Esmeralda Guliqani, ka mbrojtur me sukses disertacionin e saj doktoral dhe ka fituar gradën shkencore “Doktor i Shkencave” në programin “Doktoraturë në Shkencat e Natyrës”, në nënfushën Fizikë.
Disertacioni me temë “Lensimi i fortë si metodë në studimin e evolucionit të Universit” u mbrojt pranë Departamentit të Fizikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës, nën drejtimin shkencor të prof. asoc. dr. Lindita Hamolli.
Përveç angazhimit të saj në kërkimin shkencor, dr. Guliqani njihet si një pedagoge e përpiktë, e përkushtuar dhe mjaft e vlerësuar nga studentët e saj. Profesionalizmi, serioziteti në mësimdhënie dhe aftësia për të përcjellë njohuritë shkencore në mënyrë të qartë e kanë bërë atë një figurë të respektuar në auditorët universitarë.
Esmeralda Guliqani konsiderohet gjithashtu një nga vlerat e spikatura të Universitetit të Korçës, duke kontribuar ndër vite në rritjen e cilësisë së mësimdhënies, në formimin e studentëve dhe në forcimin e profilit akademik të institucionit. Përkushtimi i saj ndaj dijes dhe kërkimit shkencor e bën atë një shembull të denjë për komunitetin universitar.
Sipas dr. Guliqanit, studimet doktorale në astrofizikë dhe kozmologji kanë ndikuar jo vetëm në zgjerimin e njohurive të saj shkencore, por edhe në pasurimin e metodave të mësimdhënies. Ajo e konsideron këtë arritje si një mundësi dhe përgjegjësi për të kontribuar në formimin akademik dhe profesional të brezave të rinj.
Fitimi i gradës “Doktor i Shkencave” përbën një vlerësim të rëndësishëm profesional dhe shkencor, duke reflektuar përkushtimin ndaj kërkimit shkencor dhe zhvillimit akademik. Kjo arritje vlerësohet gjithashtu si një kontribut i rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve akademike dhe shkencore të institucionit ku ajo ushtron veprimtarinë e saj.
Ky sukses i Esmeralda Guliqanit është një shembull i përkushtimit ndaj dijes, punës së palodhur dhe kërkimit shkencor, duke shërbyer si frymëzim për studentët dhe të rinjtë që synojnë të ndjekin rrugën e shkencës dhe arsimit.
