KORÇË/ KANOSI ME THIKË PRONAREN E KLINIKËS DENTARE PËR TA VJEDHUR, ARRESTOHET 44-VJEÇARI
Një 44-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Korçës, pasi tentoi të vidhte në një klinikë dentare, duke kanosur me thikë pronaren e saj.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 5 të qytetit të Korçës, ku 44-vjeçari ka hyrë në ambientet e klinikës, ka shtyrë me forcë pronaren dhe e ka kërcënuar me thikë, me qëllim vjedhjen. Më pas, ai ka marrë një laptop dhe është larguar.
Pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë, duke bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të autorit të dyshuar, A. Ç., banues në Korçë, i dënuar më parë për vjedhje me dhunë.
Gjatë veprimeve hetimore, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale thikën e dyshuar të përdorur për kanosjen dhe laptopin e vjedhur.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
