Korçë – Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka referuar në Prokurori disa çështje penale për vepra të rënda kriminale, që përfshijnë vjedhje fondesh publike, kanosje për hakmarrje, dhunë ndaj punonjësve të sigurisë dhe një zjarr me pasojë humbje jete.
Vjedhje rreth 22 milionë lekë nga Posta e Devollit
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare kanë nisur procedim penal për veprat penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi kompjuterik”, në bashkëpunim, ndaj shtetaseve:
- P. Sh., 29 vjeçe, banuese në Bilisht, përgjegjëse e zyrës postare Vishocicë, Devoll;
- E. Ç., 27 vjeçe, banuese në Bilisht, arkëtare-llogaritare në degën postare Devoll.
Sipas hetimeve, gjatë periudhës shtator 2025 – janar 2026, ato dyshohet se kanë vjedhur rreth 22 milionë lekë të rinj nga fondi i postës. P. Sh. dyshohet se ka përvetësuar fonde pensionesh dhe ndihme ekonomike, kryesisht të pensionistëve që jetonin jashtë shtetit, duke falsifikuar nënshkrimet, ndërsa E. Ç. ka manipuluar dhe falsifikuar mandatpagesat dhe evidencat financiare për të favorizuar vjedhjen. Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Procedim penal për kanosje serioze për hakmarrje
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq proceduan penalisht shtetasin N. Ç., 70 vjeç, banues në fshatin Kolanec, për veprën penale “Kanosja serioze për hakmarrje ose për gjakmarrje”. Ai është shfaqur në një video në rrjete sociale duke kanosur autorët e dyshuar të vrasjes së djalit të tij, ngjarje e ndodhur në qershor 2022, pas ndryshimit të masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi”.
Dhunohet punonjësi i sigurisë në spitalin e Korçës
Komisariati i Policisë Korçë referoi materialet për procedim penal ndaj shtetasit V. P., 40 vjeç, banues në fshatin Çiflig, i cili ka fyer dhe goditur në fytyrë një punonjës sigurie të spitalit të Korçës, për shkak të detyrës.
Zjarri tragjik në Korçë, shkak shkëndija elektrike
Në vijim të informacionit të dhënë më herët, Policia bën me dije se zjarri që ra në banesën e shtetases F. P., 73 vjeçe, në lagjen nr. 15 në Korçë, ku ajo humbi jetën nga asfiksia, është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme.
