DVP Korçë
Vijojnë kontrollet intensive për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit, evidentohen dhe goditen 5 raste të tjera.
Vihen në pranga 2 shtetas, procedohen penalisht 6 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër, pasi e ushtronin këtë veprimtari, në 5 lokale.
Si rezultat i kontrolleve të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në ambiente të ndryshme, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit, janë zbuluar 5 lokale ku ushtrohej kjo veprimtari. Në vijim të veprimeve për këto raste:
-u arrestua shtetasi L. S., 52 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”, pasi u kap duke vënë baste sportive, me celular, në lokalin e tij të paregjistruar në organet tatimore;
- u arrestua E. Sh., 39 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe u shpall në kërkim shtetasi E. D., 37 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, pasi shtetasi E. Sh. u kap duke vënë baste sportive, me celular, në lokalin e shtetasit E. D.;
-nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit: A. K., 19 vjeç, Xh. A., 31 vjeç, E. K., 58 vjeç, K. P., 26 vjeç, dhe për 2 shtetas të mitur, të gjithë banues në Korçë, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, pasi u kapën në flagrancë në 3 lokale të tjera, duke vënë baste sportive, me celularë.
Celularët e këtyre shtetasve u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.