Teodor Vaso, krenaria e Korçës, legjenda e futbollit korçar u shua këtë të diel në moshën 82-vjeçare.
Futbollisti korçar lindi në 15 shtator të vitit 1941 dhe u angazhua në sport fare i ri. E nisi karrierën si atlet në vitin 1955. Në moshën 16-vjeçare, ai u bë pjesë e stërvitjes me të rriturit e ekipit të Dinamos.
Kaloi te Partizani, për të vijuar me 17 Nëntorin e në fund me Skënderbeun. Ishte titullar i padiskutueshëm i kombëtares shqiptare që kishte në krye trajnerin, të madhin Loro Boriçi.
Vaso ka bërë 46 ndeshje ndërkombëtare, nga këto 20 me Kombëtaren, si lojtari me më shumë takime të futbollistëve korçarë.
Pikërisht këto takime ndërkombëtare e bënë atë të njohur duke i nxjerrë në pah cilësitë që kishte. Gjatë karrierës së tij futbollistike, ai ka shënuar 26 gola duke qenë në role mbrojtëse.
Ikona e futbollit do të mbahet mend gjatë për ndeshjen e vitit 1967, ku luajti për 30 minuta me këmbë të vrarë dhe të enjtur kundër Republikës Federale Gjermane.
Asokohe, Teodori u shpall heroi i ndeshjes pasi gjermanët u eliminuan duke mos shkuar në finalet e Botërorit.
Kjo falë shtypit të huaj, që sa herë pasqyronte takimet e kuqezinjve, emri i Teodorit ishte i pamundur për të mos u shkruar. Si mbrojtës apo si mesfushor para prapavijës, pak rëndësi kishte.
Teodor Vaso mban dekoratat “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Medaljen e Artë” dhe “Emblemën e Artë të Korçës”.