Lexova një reagim tuajin “shpejt e shpejt”… nga kodrat e qytetit, siç shkruani, dhe e shoh të nevojshme t’ju këshilloj të rilexoni postimin tim të cilit i referoheni, sikurse ju kërkoj të tërhiqni termin “qurravitje”, dhe ta përdorni, ndoshta kur të flisni për veten tuaj.
Refuzoj me shpërfillje tendencën për të më tërhequr në një debat të stisur jashtë përmbajtjes së postimit tim. Këtë duket e kanë kuptuar më së miri edhe komentuesit tuaj në rrjet.
Postimi im hapet dhe mbyllet me urimin për përfaqësuesit e PS-së së qarkut dhe suksesin në zgjedhje, që duket nuk ju intereson. Sigurisht, shprehja e sinqertë e mirënjohjes për vlerësimin, mund të mos jetë cilësi e pëlqyer nga ju, por unë e bëj me përulësi për shokë, miq e dashamirës që më drejtohen.
Ndërkaq ndotja që tentoni t’i bëni çdo reagimi njerëzor e normal, ngado që vjen si koment, është për mua një reminishencë e neveritshme.
Tani një sqarim për dashakeqësinë e fshehur në rreshtat e “nxituara”, por të mirëmenduara;
Detyra që ushtroj, e përcaktuar me saktësi në ligj, është ajo që bëj për Korçën dhe më gjerë, për qarkun. Është një detyrë e nderuar publike me dimension politik natyrisht, por nuk mund të krahasohet me një përfaqësim politik, siç qëllimisht përpiqeni ta bëni.
Me modesti dhe krenari njëkohësisht, ju bëj me dije se e kryej detyrën me korrektësi e përkushtim.
Më vjen keq dhe çudi njëkohësisht, që ngatërroni figurën përfaqësuese politike dhe atë publike, ndërkohë që vetë ju i keni gëzuar të dyja… veç e veç.
Ftesa ime është për bashkim energjish për fitore. Kjo na bën të dobishëm.
Të uroj shëndet!