Nga Roxhens Zgorani/Helmi i padukshëm që po përhapet: Negativiteti i organizuar

HomeUncategorized

Nga Roxhens Zgorani/Helmi i padukshëm që po përhapet: Negativiteti i organizuar

E trishtë në Pogradec – Humb jetën një grua 52-vjeçare pas një zjarri në banesë
Korçë/Procedime penale për disa shtetas në qark: nga droga dhe dhuna familjare e deri tek prerja e paligjshme e druve dhe shkelja e monatoriumit të gjuetisë
Lorenc Ekonomi zgjidhet Rektor në Universitetin ‘Fan Noli’ në Korçë.

Në çdo qoshe, në çdo kafe, në çdo faqe rrjeti social, dëgjon të njëjtën refren të lodhshëm:
“Këtu s’bëhet gjë… Shqipëria s’ka shpresë… njerëzit s’vlenë… ky vend s’ka të ardhme.”
Një kor vajtimi që s’pushon kurrë. Dhe nëse e dëgjon shpesh, fillon të duket sikur pesimizmi është bërë feja jonë kombëtare.

Por ja ironia e madhe: ata që predikojnë më me zell këtë dëshpërim kolektiv, shpesh janë pikërisht ata që kanë përfituar më shumë nga kjo shoqëri. Po, po – “elita”. Ata që duhej të ishin shembull frymëzimi, profesionistët, nëpunësit, biznesmenët dhe politikanët – të cilët, në vend që të injektojnë motivim, injektojnë helm.
Në vend që të tregojnë rrugën përpara, ata tregojnë gishtin prapa.
Në vend që të punojnë për ndryshim, ata bëjnë “status” për zhgënjimin.
Dhe më qesharakja? Janë përfituesit më të mëdhenj të këtij sistemi – shpesh edhe pa meritë – që ankohen më shumë për sistemin.

Të dëgjosh një njeri që ka ndërtuar pasuri me ndihmën e këtij vendi duke thënë “këtu s’bëhet” është si të dëgjosh një kapiten anijeje që përfiton nga udhëtimi, por ankohet pse ka det.
Në fakt, janë pikërisht këta “elitistë të dëshpëruar” që e përhapin helmin më shpejt se çdo thashethem. Sepse fjala e tyre ka peshë – dhe kur peshën e përdor për të fundosur, jo për të ngritur, e gjithë shoqëria fillon të mbytet.

Ndërkohë, qytetarët e zakonshëm, ata që vërtet punojnë, krijojnë dhe mbajnë gjallë çdo ditë këtë vend, bëhen viktimat e kësaj klime toksike. Sepse është e lehtë të humbësh besimin, kur ata që duhej të ta rikthenin, janë të parët që ta vjedhin.

Dhe pastaj vjen krahasimi klasik, i preferuari i të pakënaqurve profesionistë:
“Pse nuk jemi si Gjermania? Pse s’jemi si Zvicra? Si Suedia?”
Po patjetër, pse jo – vetëm se ata kanë punuar për shekuj, kanë derdhur gjak për drejtësi dhe kanë ndërtuar shtet gur më gur, ndërsa ne mezi durojmë pesë minuta pa u ankuar.
Ata kanë bërë sakrificë kolektive, ne bëjmë “story” kolektive.
Ata kanë paguar çmimin e zhvillimit, ne duam të marrim faturën e përfitimit.
Në fund, krahasimi është i pabarabartë, sepse ata kanë ndërtuar, ndërsa ne kemi komentuar.

Në vend që të krahasohemi me botën, pse të mos krahasohemi me veten tonë?
Ku ishim dje, dhe ku jemi sot — si individë, si komunitet, si shoqëri.
Nëse sot dimë më shumë, kemi më shumë përgjegjësi dhe më pak iluzione, kjo është tashmë një fitore.

Prandaj, ndoshta ka ardhur koha t’u themi “apostujve të dëshpërimit”:
mjaft me funerale shprese, se Shqipëria nuk ka nevojë për vajtues, por për punëtorë të heshtur, për ndërtues që nuk kanë kohë të qajnë ndërkohë që punojnë.
Në fund të fundit, helmi i negativitetit nuk e vret vendin – por na paralizon ne, qytetarët që mund të ishim kundërhelmi.

Le ta pranojmë me ironi të hidhur:
Shqipëria s’ka problem me potencialin – ka problem me humorin e zi që e shesim si realizëm.
Ka problem me ata që kanë përfituar nga kjo tokë, e sot e mallkojnë, sepse u mbaruan privilegjet.
Por aq sa helmi përhapet, aq ka shans edhe kundërhelmi: puna, ndershmëria dhe vetëkrahasimi i ndershëm.

Sepse në fund, ndryshimi nuk vjen nga ata që kanë mikrofonin më të madh, por nga ata që kanë ndërgjegjen më të pastër.
Dhe Shqipëria s’do shpëtojë nga elitat që ankohen, por nga njerëzit e thjeshtë që veprojnë…

R.Z🇦🇱