Klajdi Lulollari/Familja Pojani, vatër e lëvizjes kombëtare

HomeSpecial

Klajdi Lulollari/Familja Pojani, vatër e lëvizjes kombëtare

Maliq/Aksident në afërsi të fshatit Velitërnë
Ekuinoksi pranveror, dita barazohet me natën
Fuga/Raporti media, polici, analistë-ekspertë është në ditë të hallit

Familja Pojani, vatër e lëvizjes kombëtare

Zbulohet dorëshkrimi i rrallë i shkruar për familjen Pojani 20 vjet më parë

Nga Klajdi Lulollari

Njohja ime me veprën “Qëndresa e vëllezërve Pojani” e gazetarit të mirënjohur të Radio Televizionit Shqiptar, Ndue Ukcama, u mundësua nga znj. Safete Pojani, vajza e Demir Pojanit, pati mirësinë të ma dorëzojë dorëshkrimin e librit i cili qëndronte i pabotuar në arkivën e pasur të familjes Pojani prej vitit 2004. 

Mbiemri Pojani kishte kohë që më ngacmonte. Rrugëtimi i ndjekur nga pinjollë të dalluar të këtij trungu dhe raportet e tyre me dheun amë, Shqipërinë, më mban mbërthyer pas rreshtave që shkruhen për ta. Kështu ndodhi edhe me librin në dorëshkrim të autorit Ndue Ukcama. Pyetja që i bëra vetes ishte: Ç’është ky libër? A ka përmbajtje patriotike, kombëtare për Pojanin, Korçën dhe Shqipërinë? Mora përsipër përgatitjen për botim, vetëm pasi e studiova disa herë.
Në parathënien e librit, autori Ndue Ukcama shkruan: “Kam kënaqësinë dhe dhimbjen t’ju ftoj në faqet e këtij libri, që është historia dramatike e një dere fisnike, histori e shkruar, si të thuash, në tre kohë. Nuk ka qenë rastësi nisja e këtij libri. Ai e ka fillimin në vjeshtën e vitit 1996 në Malësitë e Gjakovës, tek rënojat e një shtëpie ku kish hedhur dritë në histori familja Bajraktari, ndër më të njohurat por më të persekutuarat nga komunizmi. Këtu, atë ditë në një qiell të pastër, në një diell të ëmbël e në një dekor mahnitës të bimëve me ngjyra vjeshte, pata fatin e kënaqësinë të dëgjoj Demir Pojanin, kur foli aq bukur, aq qartë dhe aq dhimbshëm për mikun e tij të shtrenjtë Mustafa Bajraktarin, që u martirizua atje, në burgun e tmerrshëm të Burrelit. Duke pyetur mësova se familja Pojani me prejardhje nga Pojani i Korçës e banim në Elbasan i është nënshtruar një kalvari të gjatë sakrificash dhe vuajtjesh me tre vëllezërit, dy motrat dhe nënën Safete. Më vonë miku im gazetar, Zef Lleshi, më rekomandoi përgatitjen e një emisioni televiziv për familjen Pojani. Në ndihmë na erdhi edhe operatori e gazetari i mirënjohur Ilir Buçpapa.”

Ishte nëntori i vitit 2001, kur së bashku me vëllezërit, Demirin, Muhametin dhe Edmondin autori shkoi në Pojan, atje në prehër të Malit të Thatë, ku edhe ka qenë selia qindra vjeçare e kësaj familje. Ka qenë familje elitë në historinë e trevës së Korçës. Në Pojan, ndër njerëzit që takuan ishte Halil Ahmet Hoxha (1919-2004), pasardhës i familjes Hoxha. Të dyja familjet kishin miqësi me njëra tjetrën. Në kujtimet e tij në dorëshkrim Halil Hoxha thekson mes të tjerash: “Stërgjyshi im, Sali efendiu, ishte mik me Mustafa Pashë Gjiritin. Gjyshi im, Ibrahimi ishte shok i ngushtë me nipin e Mustafa Pashës pasi kishin vazhduar bashkë në një klasë gjimnazin e Manastirit, më pas Ibrahimi studioi për ekonomi në Stamboll, ku pas studimeve Mustafai i caktoi një detyrë të rëndësishme.”

 Dokumentari tregon familjen e Ilmi Pojanit në një kalvar të gjatë, të jetës së tyre plot sfida. Të gjithë mbetën të mahnitur nga gjithçka që po mësonin për këtë familje fisnike. Rrëfimi vijonte, në ato ditë autori njohu nga afër Safete Pojanin, nënën fisnike, qëndrestare të admirueshme, me zemrën e saj të madhe. Ajo u dha fuqi tre djemve e dy vajzave të qëndrojnë e të mbajnë lart emrin dhe nderin e familjes Pojani. 

 Ata në të vërtetë, që prej rreth pesëqind vjetësh, njihen e nderohen si atdhetarë të mëdhenj. Lidhjet e pemës gjenealogjike na çojnë tek katragjyshi i tyre legjendar Mustafa Pashë Gjiriti dhe akoma më tej, tek familja Princërore e Gropajve dhe lidhja martesore me Muzakajt. I pari i tyre Hajdarbegu u martua me Annën (Kyranën) dhe patën një djalë Hasanbegun. Atë kohë paraardhësit e Pojanëve me origjinë nga Kosturi jetonin në Zvirinë dhe kishin zotërime të mëdha… 

 Ja si e kujton Demir Pojani këtë histori “profesor Myqerem Janina, që kishte për grua vajzën e Sulltan Hamitit, ishte në Ballsh, në burg. Kishte respekt për linjën e fisit tonë, pa u takuar me ne. Qe i dënuar herët, ishte njeri i madh, historian i shquar, burrë i ndershëm rreth 85 vjeç. Emri im i dilte si në revoltën e Spaçit e në raste të tjera. Më shkruan një copë letër ku më bën së pari shumë të fala e pastaj pyet: “A e din kush je? Je ndër familjet më të mira në Shqipëri. Ju jeni Muzakë, selia juaj ka qënë në fshatin Zvirinë, atje janë rrënojat tuaja, të cilat nuk e di historikisht pse janë boshatisë dhe keni zënë vend në Pojan. Ti je stërnip direkt i Mustafa Pashë Gjiritit.”

Shumë bij të shquar të kësaj familje u dalluan midis rretheve atdhetare shqiptare me kontributet, angazhimet dhe pjesëmarrjet e tyre në veprimtaritë patriotike.
Në faqet e këtij libri lexuesi do të njihet edhe me fakte të tjera historike, që për arsye të persekutimit komunist, janë mënjanuar ose errësuar fare. Do të njihemi me veprat e ndritshme të gjyshit të vëllezërve Pojani, Demir Beut, kushërinjtë e shquar Orhan, Sami e Mahmud bej Pojani.
Një material të çmuar për rilindasit e kësaj dere na jep edhe Mihal Grameno tek libri “Kryengritja shqiptare”, kurse te “Enciklopedia Turke” e hartuar nga i madhi e i dituri Sami Frashëri shkruhet për jetën e shqiptarit të famshëm, kryeministrit të Turqisë, Mustafa Pashë Gjiritit, ndërsa tek “Bleta Shqiptare” e Thimi Mitkos, kënga e famshme “Ta ngjiti Moskov ta ngjiti/ Mustafa Pashë Gjiriti!”
Ashtu si tek rrënojat e shtëpive në Kasaj të Tropojës, edhe në Pojan prapë rrënoja sarajesh, selia e Pojanëve jetonte vetëm në kujtime, ashtu edhe në Bulgarec tek Agollët, njerëzit e nënë Safetes.
Familjet më fisnike të kohës sistemi i përndoqi me egërsi. Ilmi Pojani me fëmijët e tij, më të madhin trembëdhjetë vjeç, u detyrua të largohej nga fusha e bukur e Korçës, të lerë çdo gjë, të shkojë në malet e Elbasanit e gjetkë. Në Mjekës, fshat në Elbasan, ai filloi të ndërtojë furra, ku gëlqerja i hëngri mushkëritë e i shkurtoi jetën. Ata iknin, diktatura i ndiqte. I ndiqte si kope egërsirash një tufë qingjash. Quhej luftë klase dhe Pojanët, i madh e i vogël, quheshin klasa të përmbysura ose të deklasuar. Të tre vëllezërit, Demir, Muhamet, dhe Edmond Pojani u futën në burgje në periudha të ndryshme. Babai, Ilmi Pojani në vitin 1974 vdes, nënë Safetja u internua në vitet 1983-1988, një kalvar tragjik për këtë familje.
Kur bisedon me Demir Pojanin, – shkruan autori, – këtë burrë të pathyeshëm, i njohur edhe si njëri ndër prometejtë e Burrelit, futesh thellë në atmosferën tragjike të kohës. Ai ka një memorie të jashtëzakonshme. Të duket se nga fjalët e tij, fytyra si shkëmb e sytë që shpesh shkëlqejnë nga pika loti, i sheh ngjarjet dhe njerëzit. Demiri ka një dhimbje të jashtëzakonshme, jo për rininë e tij, që e kaloi burgjeve, se sa për miqtë e tij, bashkëvuajtësit e sidomos për ata që mbetën përjetësisht në këto burgje, mbetën telave me gjëmba si flamuj e kryengritës të përjetshëm.
Janë edhe kujtimet e dhimbshme të nënë Safetes, Muhametit dhe Edmondit, të motrave Bardhylka dhe Vjollca, të gjitha këto vijnë me besnikëri në faqet e këtij libri.”
Pra, në këtë kuptim ky libër i autorit Ndue Ukcama është një autobiografi dhimbjeje, që ka vlera të pazëvendësueshme për hulumtimet e krimeve të komunizmit në Shqipëri, mbështetur këto edhe në dokumente, letra, kartolina, akt-akuza, kujtime të bashkëvuajtësve e të tjera.
Për këtë, duke filluar nga takimi i parë me Demir Pojanin, – vazhdon autori, – u binda unë dhe cilido që do të ishte në vendin tim se duhej të hidheshin këto dëshmi që ushqejnë historinë në një libër, që nuk është thjesht një kujtesë historike për familjen Pojani, por pjesë e asaj kujtese të vuajtjes e qëndresës mbinjerëzore të të burgosurve politikë në pesëdhjetë vjet të diktaturës komuniste.
Lidhur me këtë, pra me qëndresën e tyre përballë torturave, vuajtjeve çnjerëzore, provokimeve, vëllezërit Pojani në faqet e fillimit të librit, bëjnë edhe një deklaratë mirëkuptimi me lexuesit dhe bashkëvuajtësit.
Pjesë kryesore e librit janë dosjet e hetimit e të gjykimit. Demiri ka tetë dosje hetimi dhe gjykimi, është dënuar katër herë. Muhameti katër dosje – dënuar dy herë, Edmondi dënuar një herë.
E pra, përderisa historia kërkon e ka nevojë të ndriçojë me fakte e dokumente kohën e egër të diktaturës, monografi të tilla, libra si ky për kalvarin e vëllezërve Pojani, janë të nevojshëm.

Për figurat e shquara të fisit Pojani, do të ishte e pamundur të pasqyrohen kontributet e tyre atdhetare në një monografi të vetme, por kjo do të realizohet në botime të veçanta. Puna ka filluar me ndërtimin e pemës gjenealogjike të Fisit Pojani-Gropaj, evidentimin e rolit që kanë patur në themelimin e fshatit, bamirësive që kanë bërë, organizmin, mbështetjen dhe financimin për lëvizjen kombëtare në kryengritjet anti osmane e greke, ngritjen dhe aktivizimin e klubeve patriotike, çetës së Pojanit, gazetës “Korça”, hapjen e shkollave shqipe, bursat që iu siguronin nxënësve për të studiuar në Universitetin e Stambollit në degë si mësuesi, teologji, mjekësi, drejtësi, bashkë me shumë foto të figurave të kësaj familje, dokumente të arkivit qendror të shtetit shqiptar, të arkivit të Stambollit, të cilat janë në proces përkthimi nga osmanishtja.
Të gjitha këto materiale të mbuluara nga pluhuri i qëllimtë i harresës do të përgatiten për botim pasi tregojnë për ngjarje dhe figura të shquara të historisë sonë kombëtare.