Aktivistja dhe juristja e njohur, Brizida Gjikondi ka komentuar zhvillimet e fundit politike. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Znj.Gjikondi ka folur për hetimet e Prokurorisë së Posaçme ndaj familjes “Meta”, vendimin e Gjykatës së Apelit për t’i kaluar vulën Sali Berishës, zhvillimet në PS dhe qeverisjen e kryeministrit Rama. Juristja tregoi edhe skemën që po përdor Meta për të shpëtuar nga prangat e SPAK. Sipas Gjikondit, tentativat e tij do të dështojnë. Ajo tha gjithashtu se mesazhi i Ambasadës Amerikanë për grupin që mbështet Berishën, ishte edhe për kryeministrin Rama.
Zonja Gjikondi, 24 orë pasi shkallët e Prokurorisë së Posaçme i kishte ngjitur bashkëshortja e tij kryemadhi, në SPAK të enjten e 13 qershor 2024) u paraqit Ilir Meta. Për mbi 3 orë e 20 minuta kreu i PL është pyetur për të njëjtën çështje, pasuria, paratë dhe lobimet në SHBA. Në pyetje u mor nga prokurori i dosjes së hetimit pasuror dhe lobimeve në Uashington Sotir Kllapi, por si në hyrje edhe në dalje akuzat e forta i kishte për kreun e SPAK, pa lënë mënjanë etiketimet fyese. Mendoni se po i ngushtohet laku dhe se ora që Ilir Meta të përballet me drejtësinë ka ardhur?
Unë mendoj që jo vetëm i ka ardhur ora për tu përballur me drejtësinë, por është i vonuar. Për njerëz si Meta, që e kanë dëmtuar shumë imazhin dhe moralin kombëtar të Shqipërisë, por ai po turpërohet përpara shqiptarëve edhe si personazh. Nuk është vetëm ndëshkimi i drejtësisë por është dhe ndëshkimi që populli i ka dhënë edhe më përpara me ndjesitë e tij dhe me njohjet e veta të shqiptarëve. Tashmë ai është zhbërë moralisht para shqiptarëve. Edhe sulmet qe bëjnë ndaj Dumanit, janë qesharake dhe nuk mund të merren seriozisht pasi duke parë dhe veprimet e tij, njëherë duke ngjitur malet e njëherë duke u zhytur në lumin e Shalës, e po përpiqet gjithë kohës të jetë në qendër të vëmendjes e të shfaq destabilitetin e tij. Këto janë të çuditshëm pasi unë iu them këto janë trima e grabisin shqiptarët e bëjnë krime të ndryshme që janë duke u zbuluar, por janë shumë frikacak kur zbulohen pasi nuk e mbajnë dot përgjegjësinë.
-Ndërkohë thirrjen në SPAK, Ilir Meta e shikon të pakuptimtë, pasi të gjitha veprimet për të cilat i kërkojnë llogari, i bëjnë të tjerët duke iu referuar Kryemadhit, të cilën e cilëson si bashkëpunëtore të SPAK-ut. A është normale që burri të “shesë” gruan? Apo presioni i darëve të SPAK ka prishur ekuilibrat…
Këta zhbëhen dhe si qenie njerëzore pasi sido që të jetë situata një burrë nuk e shet gruan e tij dhe sikur ajo të ketë përgjegjësi, pasi është përgjegjësi e burrit që të mbaj përgjegjësi ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve. Pavarësisht se ata kanë qenë të kahershëm një biznes më shumë sesa një familje. Por duke qenë se kanë tre fëmijë e kurrsesi një bashkëshort nuk e shet gruan e tij dhe rrjedhimisht dhe familjen e tij. Patjetër që Meta nuk do të merrte përsipër asgjë pasi ai tha që unë jam marrë me politikë dhe Monika është marrë me blerje dhe me shitje, ç’ka tregon se dhe gjatë bashkëpunimit bëhen me paranoja sikur të gjithë e tradhtojnë, ia kanë me hile e të gjithë duan ta dënojnë apo ta helmojnë sepse bëhen me paranoja. Këta ishin mësuar keq se në 30 vjet ishin mësuar të mos i gjente asgjë dhe kujtonin se nuk do i gjente përsëri asgjë. Ai ia ka parë hajrin presionit, pasi dhe kur iu bë kallëzimi për bllokun në dorë me Dritan Priftin, atëherë ka mbajtur një konferencë shtypi shumë të egër e me fjalor shumë vulgar. Ndaj, Meta gjithmonë mendon se ia shet fajin presioneve që bën ndaj drejtësisë ose kundërshtarëve të tij. E nga ana tjetër bën skenar sikur SPAK-u varet nga Rama dhe Rama urdhëron SPAK-un e si të tillë duke bindur shqiptarët se unë jam i persekutuar politik dhe jo se kam bërë krime. Të gjitha këto janë blofe që as vetë ai nuk i beson dhe ia ka parë hajrin këtyre presioneve. Do të doja që SPAK të ishte më dinamik me persona si Meta, e si të tillë dëmton imazhin e tij dhe nuk mund ta lësh të lirë një person si Meta që nuk është e vështirë t’ja provosh lidhjet e tija me krimin dhe korrupsionin. Nuk do kaq shumë mund sa e zgjat SPAK me një personazh të tillë si Ilir Meta.
Gjykata e Apelit i dha fund sagës së përplasjeve mes dy grupeve të PD-së, duke i dhënë përfundimisht vulën Sali Berishës. Me këtë vendim, Berisha kthehet në krye të PD-së, partisë opozitare më të madhe në vend. Por ka një problem, Berisha po hetohet nga SPAK dhe është shpallur “non-grata” nga SHBA e Britania e Madhe. A është normale që partinë më të madhe opozitare ta drejtojë një politikan që po hetohet për korrupsion dhe sanksionuar nga aleatët?
Është shumë e dhimbshme që Berisha po shkon drejt të 80-ave e ça kishte për t’i dhënë Shqipërisë, ia dha, me të gjithë kuptimin e fjalës, me të mirat dhe të këqijat e tij, e personalisht mendoj më shumë me të keq ku vazhdon dhe mban peng PD dhe indirekt dhe opozitën shqiptare. Ai ishte një vendim i pastër politik, nuk ishte vendim gjyqësor apo i bazuar në ligj apo në prova. Unë mendoj që presioni për atë vendim ka qenë shumë i madh dhe për politikën shqiptare. Nuk përjashtoj nga ky vendim të gjithë palët. Mendoj që fillesat e këtij vendimi, janë te komisionet ose te marrëveshja Çuçi-Bardhi, ku bënë një marrëveshje të dy dhe kjo është një nga pikat e marrëveshjes. Siç mendoj që edhe Basha ka qenë në dijeni, pasi Basha ka shumë sekrete në sirtar. Sekrete që besoj familja Berisha ia mbajnë peng dhe për gjithë këtë 2 vjeçar qëkur Berisha është shpallur non-grata, ka qenë shumë apatik, shumë i tërhequr e gati-gati inekzistent pikërisht që të linte në pah ndërlidhjen e Berishës e gjoja energjinë e tij, por pikërisht për të treguar se opozita e vërtetë është Berisha. Basha indirekt e ka ndihmuar Berishën për të arrirë këtu ku arriti. Por më ka bërë përshtypje shumë deklarata e ambasadës së SHBA në Tiranë, ishte një deklaratë e mençur pasi kishte të bënte dhe me krahun e Ramës. Ajo deklaratë i tërhiqte vëmendjen dhe atyre që e vlerësonin të bashkëpunonin me personat ‘non-grata’. Përveçse konfirmonin që ne nuk ndryshojmë qëndrim me personat ‘non-grata’, i tërhiqnin vëmendje dhe atyre që mendonin se mund të bashkëpunonin me ‘non-gratat’. Mendoj që kjo deklaratë ishte shumë e fortë dhe për PS të cilës mund t’i leverdis një qenie e kalbur si Berisha sesa të krijojë mundësinë të hyjë në një linjë të re.
Lulzim Basha ndërkohë ka paralajmëruar rekurs të vendimit të Apelit dhe ndërkohë dhe krijimin e një partie të re. Si ju duket kjo lëvizje?
Lëvizja e Bashës duket hipokrite pasi para se të bënte këtë gjoja ankimin në rekurs ku do të bënte rekursin në Gjykatën e Apelit, ka vajtur dhe ka hequr të gjitha simbolet nga partia e tij. Kur është bërë gjyqi asnjë nga përfaqësuesit e lartë të Bashës nuk ka qenë i pranishëm por vetëm avokatët. Ndryshe nga krahu i Berishës që ishin si ansambël, nga ana e Bashës nuk ishte asnjë. Ai madje hoqi simbolet duke treguar hapur skenarin që ndodh shpesh në politikën shqiptare. Ai ka hequr simbolet dhe tregon se rekursi është kot sa për t’i hedhur hi syve e për të thënë se ja unë e bëra.
Kryeministri Edi Rama duket se ka futur në ankth deputetët. Në Asamblenë e PS të mbajtur online, Rama deklaroi se do të ndryshohet skema e përcaktimit të listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 2025. Kjo do të thotë se shumë nga deputetët aktualë mund të largohen. A është kjo një lëvizje strategjike për të spastruar partinë nga ata që kanë probleme me SPAK?
Besoj se po. Unë mendoj se pavarësisht mekanizmave të brendshme që përdorin partitë politike në Shqipëri, për të tundur ujërat e ndenjur, mekanizmi që sanksionon kodi ligjor është shumë i shëmtuar dhe i shtrembëruar. Këto janë taktikat që bën zoti Rama brenda partisë së tij, pasi ai në këtë 11 vjeçar problemin më të madh e ka me korrupsionin. Ata mund të bëjnë çfarëdo lloj taktike për të dalë nga korrupsioni por në frymën dhe filozofinë e asaj partie nuk shikoj pasion kundër korrupsionit. Njerëzit që zgjedh Rama, ndoshta nuk kanë qenë të duhurit e qasja e tij duhet të jetë e ndryshme sepse nuk mund të bëhet pis një vend i tërë dhe do të duket sikur nuk ka shqiptar të ndershëm por ka vetëm të korruptuar, e nuk ke ça bën se si njëri dhe tjetri, sërish të korruptuar do të dalin. Mendoj se Rama ka një sfidë të madhe si mendësi e jo si tolerancë. Mendoj se ai i ka toleruar dhe i ka marrë si një haraç që ai duhet të paguaj ai gjoja ndaj njerëzve që merr afër. Mirëpo kjo gjë nuk është e vërtetë pasi ka plotë njerëz të cilët punojnë me ndershmëri dhe e dinë që paguhen për punën që bëjnë dhe kaq. Nuk kanë pse të krijojnë skema korrupsioni nëpër administrata apo nëpër bashki që këtej të marrim rrogën, këtej të krijojmë biznese private e nëpërmjet tyre të arrijnë të marrim para nga tenderat publike në sektorët ku punojnë. Shpresoj shumë se Edi Rama shpresoj ta bëj seriozisht dhe thellësisht një qelizë për ndryshimin e frymës së asaj partie.
-PS festoi 33 vjetorin e themelimit dhe ndërkohë kjo shumicë ka 11 vjet në pushtet. Si ju duket qeverisja e Ramës dhe pse qytetarët duhet t’ju votojnë?
Në sistemin zgjedhor në Shqipëri nuk i ka lënë hapësirë drejtimeve të reja. Klasa e vjetër politike shqiptare ka funksionuar në mënyrë të tillë që të mbys partitë e vogla duke kapur media, bizneset e gjithçka është në funksion për të mbijetuar kjo klasë politike bipolare mes PD dhe PS. Sa për qeverinë e Ramës, vlerësoj gratë ministre, edhe pse ato janë të zgjedhura, disa gra kanë rezultate të kapshme e rezultojnë të mos jenë bërë pis. Por mos harrojmë se dhe brenda PS ka intriga përçarje.
Intervistoi: Xhoana Vraniçi