Procesi i regjistrimit të dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet në territorin e Bashkisë Maliq po shkon drejt përfundimit. Evidentimi është kryer i ndarë sipas kulturave bujqësore të dëmtuara, me qëllim pasqyrimin sa më të saktë të situatës në terren.
Specialistët e Bashkisë Maliq, në bashkëpunim të ngushtë me specialistët e Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor, kanë qenë dhe vijojnë të jenë në terren, në dispozicion të çdo fermeri të prekur nga përmbytjet.
Autoritetet bëjnë të ditur se asnjë fermer, të cilit i janë dëmtuar të mbjellat, nuk do të mbetet pa u regjistruar, për sa kohë që paraqitet dhe bashkëpunon me strukturat përkatëse.
Ndërkohë, Ministri i Bujqësisë ka deklaruar publikisht se të gjithë fermerët e prekur nga përmbytjet do të dëmshpërblehen, bazuar në të dhënat zyrtare të regjistrimit të dëmeve.
Bashkia Maliq u bën thirrje fermerëve për bashkëpunim dhe mirëkuptim, duke theksuar se institucionet po e ndjekin procesin me përgjegjësi të plotë, me synimin që ai të përfundojë në mënyrë të drejtë dhe transparente.
Në këtë kuadër, Sektori i Bujqësisë pranë Bashkisë Maliq vijon verifikimin në terren të dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet si pasojë e reshjeve intensive.
