Policia e Qarkut Korçë ka zhvilluar një sërë veprimesh gjatë 24 orëve të fundit, duke arrestuar dhe proceduar disa shtetas për shkelje të ndryshme të ligjit.
Shërbimet e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë një 36-vjeçar, banues në Korçë, i cili u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan një 29-vjeçar, pasi në ambientet e Drejtorisë së Kujdesit Social ka kanosur me thikë punonjësit e institucionit, për shkak të detyrës. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e ftohtë.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal ndaj një 26-vjeçareje nga Korça, e dyshuar se ka shqetësuar në mënyrë të përsëritur, përmes telefonit, një 23-vjeçare.
Në lidhje me konfliktin fizik të ndodhur më 19 janar 2026 në lagjen nr. 3 të Pogradecit, Policia bëri të mundur identifikimin e autorëve të dyshuar. Procedimi penal ka nisur për dy shtetas, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se janë konfliktuar me një 44-vjeçar.
Po ashtu, shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori për një 30-vjeçar nga Lushnja, i cili dyshohet se ka hyrë në oborrin e një banese, ka kanosur dhe ka goditur me grusht pronarin, për motive të dobëta.
Të gjitha materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
