Ardian Fezollari, mes objektivit në aparatin fotografik dhe kontributit në Polici…

HomeUncategorized

Ardian Fezollari, mes objektivit në aparatin fotografik dhe kontributit në Polici…

Kapriçot e motit/ E FUNDIT: 30 minuta breshër! Shkatërron gjithçka në këtë zonë të Shqipërisë…
Maliq/Kanoset për shkak të detyrës një punonjëse e Bashkisë Maliq.
E rëndë në Pogradec/ Burrë e grua dhunojnë nënën dhe motrat e 50-vjeçarit, i ndihmon edhe i biri

Ardian Fezollari është një nga ata njerëz që jetojnë mes dy botëve dhe i shërbejnë të dyjave me përkushtim. Nga njëra anë, uniforma blu e Policisë së Shtetit, simbol i disiplinës dhe përgjegjësisë dhe nga ana tjetër, objektivi i aparatit, i cili shndërrohet në dritare të shpirtit, në mënyrën më të pastër të mundshme. I lindur dhe rritur në Pogradec, Ardiani ka ditur të ndërthurë ndjenjën e detyrës me ndjeshmërinë e artit, duke ndërtuar një profil të veçantë që e dallon në çdo komunitet ku ka shërbyer.

Në karrierën e tij si oficer, ai ka qenë pjesë e strukturave të ndryshme të Policisë së Shtetit, gjithmonë me një ndjenjë të fortë përgjegjësie ndaj njerëzve dhe ligjit. Ka drejtuar me profesionalizëm Komisariatin e Kolonjës, duke fituar respektin e komunitetit për mënyrën e qetë dhe njerëzore me të cilën e ushtron autoritetin. Në fund të vitit 2023, u emërua shef i sektorit të burimeve njerëzore në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, një detyrë që kërkon maturi, mençuri dhe aftësi për të bashkuar njerëzit brenda strukturave të shërbimit. Në çdo hap të rrugës së tij, Ardiani ka ruajtur një qëndrueshmëri të rrallë mes detyrës dhe dinjitetit personal, duke e parë uniformën jo si pushtet, por si mision.

Por përtej shërbimit dhe rregullit, qëndron një tjetër dimension i tij, ai i fotografit që flet me dritë. Që nga aparati i parë, blerë gjatë shërbimit në Spaç në fillim të viteve ’91, e deri te albumet e sotme që i kanë sjellë njohje kombëtare dhe ndërkombëtare, Ardiani ka ndërtuar një univers të vetin. Ai nuk kërkon sensacion, por rrëfen natyrën, dritën e mëngjesit mbi liqenin e Ohrit, mjegullën e Prespës, rrugicat e vjetra të Kolonjës, tingujt e folklorit dhe heshtjen e maleve. Fotografia për të është kujtesë, shpëtim dhe ndoshta një mënyrë për ta parë botën më të drejtë e më të qetë. Ndërsa fotot një pasuri e paçmuar dhe kontribut, në çdo shkrepje!

Në vitin 2024 ai prezantoi albumin “Our Albania”, një përmbledhje dhjetëvjeçare e udhëtimeve dhe peizazheve shqiptare, ku arti i tij ndërthuret me ndjesinë e përgjegjësisë për ta dokumentuar vendin me dashuri e respekt dhe duke shkrepur foto mahnitëse të cilat jo në pak raste kanë bërë xhiron e botës për të promovuar vendin tonë. Çmimet që ka fituar, përfshirë titullin “Ambasador i Turizmit Shqiptar” në konkursin e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, nuk janë për të trofe, por dëshmi e faktit që bukuria e thjeshtë ende vlen.

Ardiani Fezollari është shembulli i një njeriu që nuk jeton mes dy realiteteve, por i bashkon ato në një. Ai shërben çdo ditë dhe krijon një trashëgimi të pasur për bukuritë e Shqipërisë.